Java speciale: Tërmeti politik që do ta ndryshojë skenën politike

E diela e sotme i jep fund një prej javëve më dramatike të vitit 2019. Dhe dramaticiteti nuk u provokua thjesht nga zhurma molisëse nëpër debate televizive, apo nga gabime të tmerrshme [kujto Flora Brovinën] por prej ngjarjeve të vërteta që do ta ndryshojnë realitetin politik. Ditën e premte, më 19 korrik, Ramush Haradinaj dha […]
Ditën e premte, më 19 korrik, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e ëndërruar e kryeministrit pasi i kishte ardhur një ftesë nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Në mënyrë që të ndillte dhimbje te qytetarët, ish komandanti i Zonës së Dukagjinit qau. Kjo e bën të rreme idenë patriarkale shqiptare se “vaji i burrave është kënga!” Edhe pse, e përjetuam me veshtë tanë këngën e Ramushit gjatë muajve të fundit, doli se në fakt “vaji i burrave ishte po ashtu vaji.”
Kjo ftesë e Speciales i jep fund një qeverie skandaloze të udhëhequr pa kurrfarë vizioni, me teke të atypëratyshme. Edhe nëse kjo qeveri nuk do të rrëzohet, të paktën, kryeabuzuesi i saj, Ramush Haradinaj nuk do të jetë aty. Megjithatë, siç deklaroi Albin Kurti i VV-së, “për arsye të gabuara.”
Periskopi pyeti lexuesit se a duhej të jepte dorëheqje Haradinaj pas ftesës nga Specialja. Dhe, qytetarët dukeshin mjaft të përçarë.
Nga 1 mijë e kusur vota, 49 për qind thanë PO ndërsa 51 për qind JO.
Kishte edhe nga ata që e panë dorëheqjen e Haradinajt si teatër politik për të marrë pak më shumë vota në zgjedhjet që po vinin pashmangshëm. Duke e njohur, mund të themi se Haradinaj mund të shkojë ku t’i teket edhe pa u ftuar. Por, me Hagën ndryshon puna. Atje përnjëmend duhet të kesh një ftesë.
Sidoqoftë, një ditë para se të njoftonte dorëheqjen, Haradinaj kishte dhënë një intervistë ku e akuzonte kreun e partnerit më të madh në Qeveri, Kadri Veselin, për servilizëm.
A mund të ketë qenë kjo dorëheqje e inskenuar? Pa kurrfarë dyshimi. E vetmja gjë që nuk planifikohet nga Haradinaj është shpenzimi i parasë publike, qeverisja.
Krahas z.Haradinaj, Specialja ftoi edhe z.Bislim Zyrapi dhe z.Sokol Bashota. Ky i fundit ishte dënuar nga një gjykatë kosovare për diçka.
Sidoqoftë, të nesërmen e ftesës për Haradinajn, u ftua edhe politikani i hedhur në margjina, Jakup Krasniqi. Ende nuk dihet se në çfarë cilësie është ftuar ish kryetari i Kuvendit që ishte maqedonizuar nga presidenti aktual Thaçi me emrin “Jakupovski”.
Ndërkohë që të rëndësishme ishin edhe zhvillimet në prapavijë në Lidhjen Demokratike të Kosovës [LDK]. Periskopi merr vesh se njerëzit kryesorë të LDK-së kanë arritur një marrëveshje që përcakton kandidatin e vetëm për kryetar të partisë dhe kandidatin për kryeministër, në mënyrë që të shmangen pakënaqësitë dhe përçarja e partisë.
Unifikimin e partisë e ka konfirmuar edhe ish kryetari Sejdiu, i cili në statusin e tij në Facebook la të kuptohej se ishte i përfshirë në strukturat e larta të reja të LDK-së dhe se kjo parti do të merrte pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, një marrëveshje e tillë duhet thënë se e prish demokracinë e kësaj partie. /Periskopi












