Ende asnjë dorëheqje nga ministrat e zv/ministrat e AAK’së

Ende asnjë dorëheqje nga ministrat e zv/ministrat e AAK’së

Krejt në fund të mbledhjes së Qeverisë, Ramush Haradinaj mori një letër në duar dhe kërkoi vëmendjen e Kabinetit Qeveritar deri në përfundimin e leximit të saj. Aty e dha lajmin për dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit, për shkak të ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale për intervistim, në cilësinë e të […]

Në mënyrë krejtësisht të papritur, kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme dje.

Arsye për këtë ishte ftesa që ai thotë se ka marrë nga Gjykata Speciale për intervistim, në cilësinë e të dyshuarit.

Ky vendim i Haradinaj, përveç të tjerëve, në befasi i zuri edhe vetë ministrat e partisë së tij. Të paktën, kështu i ka thënë Periskopit, ministri i Mbrojtjes nga radhët e kësaj partie, Rrustem Berisha.

Ai është zënë aq në befasi, saqë kur u pyet se si do të veprojnë tani ata si ministra, dha përgjigje të paqartë.

Ndonëse u prit një vendim i tillë dje, asnjëri nga këta dy ministra – Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës dhe Rrustem Berisha, ministër i Mbrojtjes – nuk bënë zë.

Lidhur me këtë çështje, Berisha teksa ka folur për Periskopin, ka thënë se do të presin procedurat tutje, pasi aktualisht janë në mbështetje të plotë të kryeministrit Haradinaj.

Ai tha se gjatë ditës së djeshme, në mbledhjen e partisë, nuk është diskutuar nëse ai dhe Lekaj, si ministra nga kjo parti, duhet të dorëhiqen.

“Edhe ne do t’i presim procedurat tjera, njëherë jemi në mbështetje të kryeministrit Haradinaj…jo jo nuk është diskutuar nëse ne si ministra të AAK’së do të dorëhiqemi. Nuk e di pse s’është diskutuar. Dje është diskutuar vetëm rasti i Haradinajt, nuk kemi pasur rast të diskutojmë rastin e ministrave të AAK’së…nuk e di si do të veprojmë”, ka thënë Berisha për Periskopin.

Teksa ka folur për dorëheqjen e Haradinajt dhe ftesën nga Specialja, Berisha ka thënë se ka qenë një situatë shumë e vështirë për ta.

“Unë mendoj se realisht ka qenë një situatë e vështirë edhe për të edhe për neve, sepse kemi punuar bashkë kohë të gjatë. Atij i ka ra shumë me u ballafaqu me këto padrejtësi por megjithatë do të përfundojë mirë edhe kjo, pasi ne besojmë në pafajësinë e tij, por është vështirë…në mbledhje të Qeverisë e kam marrë vesh edhe unë. S’kam pasur njohuri më herët”, ka thënë Berisha për Periskopin.

Për ta pyetur se si do të veprojë pas dorëheqjes së Haradinajt, Periskopi ka kontaktuar edhe ministrin tjetër të kësaj partie, Pal Lekajt.

Ai nuk është përgjigjur në asnjërën nga dhjetëra thirrje telefonike që ia janë bërë nga redaksia.

Në Qeverinë e tij, Haradinaj kishte vetëm dy ministra nga partia. Dhe, te dy me aktakuza në fuqi. Lekaj për keqpërdorim detyre për çështje të subvencioneve sa ishte kryetar i Komunës së Gjakovës, e Berisha si i akuzuar në rastin për listat e veteranëve.

Me të dhënë dorëheqje, Haradinaj i bëri thirrje presidentit Hashim Thaçi që t’i shpall menjëherë zgjedhjet e parakohshme. Mandatin e kryeministrit, Haradinaj tha se ia ktheu popullit.

Por, çka parashihet tash të ndodh?

Situata të tilla i parasheh Kushtetuta, e cila ofron zgjidhjen për dalje nga kjo situatë.

“Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thuhet në paragrafin e pestë të nenit 95.  

Mbështetur në dokumentacionin e deponuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësues i koalicionit PDK-AAK-Nisma është kryeparlamentari Kadri Veseli. Pikërisht nga ai presidenti Thaçi do të mundë ta kërkojë emrin e mandatarit për ta formuar Qeverinë e re.

Por, edhe sikur AAK-ja e Haradinajt të mos ishte për zgjedhje të reja, koalicioni nuk do të mundë ta bënte Qeverinë e re. Kjo për shkak se Kushtetuta kërkon që kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit, dhe se Qeveria konsiderohet e zgjedhur vetëm në rast se merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Qeveria Haradinaj kishte marrë besimin pikërisht nga minimumi kushtetues i votave të deputetëve. Pro saj ishin vetëm 61 nga 120 ligjvënës, sa ka Kuvendi. Vetëm pak muaj kishte ruajtur këto vota dhe prej më shumë se një viti e gjysmë Qeveria funksionon pa e pasur shumicën e deputetëve. Në këtë rrethanë, koalicioni e ka të pamundur zgjedhjen e Qeverisë së re.

Haradinaj ka publikuar vendimin për dorëheqje, por ka thënë se tek të hënën nëpërmjet shkresave zyrtarisht do t’i informojë përfaqësuesit institucionalë dhe partnerët e koalicionit. Po kështu, edhe që t’i kërkojë kreut të shtetit që t’i shpallë zgjedhjet e reja.

Tani, kompetenca kushtetuese e presidentit është vetëm të kërkojë propozimin për mandatarin e ri./PERISKOPI 

Të ngjashme
"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?