Dorëheqja e kalkuluar e Haradinajt, çështje nderi apo çështje politike?

Dorëheqja e Haradinajt sot shumëkënd e ka zënë në befasi. Arsyeja që u dha prej tij është se ai është i ftuar për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale. “Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, ka deklaruar […]
Dorëheqja e Haradinajt sot shumëkënd e ka zënë në befasi. Arsyeja që u dha prej tij është se ai është i ftuar për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale.
“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, ka deklaruar Haradinaj.
Krahas reagimeve të para melodramtike, mes tjerash dorëheqja u quajt edhe e panevojshme. A është e domosdoshme që për një intervistim nga gjykata te jepet dorëheqja nga posti i Kryeministrit, ishte pyetja e parë që shtrohej. Por, kjo mbetet çështje interpretimi.
Sidoqoftë, për t’i kuptuar motivet e kësaj dorëheqjeje duhet parë në retrospektivë veprimet e deritashme të Haradinajt si Kryeministër, posaçërisht veprimet e tij në raport me bashkësinë ndërkombëtare.
Prapa vetes më dy vite Qeverisje jo kompetente, me secilin parametër me negativ se tjetri, me fillimin e një rënie të reputacionit për situatën paralizuese në të cilën e futi vendin, dorëheqja duket se ishte spiranca që Haradinaj shpreson se do ta shpëtojë karrierën e tij politike.
Të mos harrojmë, Haradinaj do të mbahet mend si kryeministri i parë i Kosovës që ka zhvleftësuar raportet e vendit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sponsorin më të madh të shtetit të Kosovës. Por, jo vetëm SHBA’të. Kështu, Kryeneçësia e tij, në rrafshin ndërkombëtarë Kosovën e solli në një izolim total, politik dhe ekonomik.
Por, jo vetëm rrafshin ndërkombëtarë. Së fundi Haradinaj mbeti i vetmuar edhe prej partnerëve të tij të cilët e kishin sjellë në postin e Kryeministrit. Mjafton të përmendim aktivitetet subversive të tij dhe partisë së tij, AAK, në komunën e Malishevës, kundër partnerit më besnik të tyre, NISMA’s.
Po kursehemi këtu që të rendisim të gjitha projektet tjera të dëmshme dhe skandalet që për dy vite e përcollën Qeverinë Haradinaj.
Kështu, Haradinaj i pushtuar nga dëliri i pushtetit shkelmoi çdo gjë që pati afër vetes, pa u menduar dy herë. Shpërfilli e nuk u doli në fjalë askujt më të cilët ndërtoi partneritet, as atyre ndërkombëtar e as vendor.
Tani kur ka shkërmoqur çdo gjë, i zënë në kurthin e veprimeve të tij jo inteligjente, Haradinaj shpreson se futja e shpejtë e vendit në zgjedhje mund ta risjellë atë edhe njëherë si faktor i rëndësishëm politik.
Në deklarimet e para para mediave pas dorëheqjes ajo që bie ne sy është theksi i Haradinjat tek nevoja që Presidenti të shpallë zgjedhjet. Atë e përsëriti disa herë. Dhe, tërthorazi e pohoi se sërish do të ofrohet për të qeverisur vendin.
Çfarë synon dhe cilat mund të jenë pritjet e Haradinajt pas dorëheqjes?
Haradinaj shpreson se konstalacioni politik është në favor të tij. Shpreson në efektin patriotik të taksës ndaj mallrave serbe, shpreson ne një PDK të dobësuar, shpreson në një LDK të përçarë, në një VV ende të plagosur nga ndarja me PSD’në dhe në një NISMA të pasigurtë, por edhe në dhjetëra mijëra veteranë që janë shtuar gjatë qeverisjes së tij.
Do të provojë të kapitalizojë kryeneçësinë e tij dy vjeçare si virtyt atdhedashurie, por, që në luftën e tij kundër të gjithëve u la i vetmuar. Do të përlyej të gjithë atë me të cilët deri sot ndërtoi partneritet.
Me llogaritje të tilla, natyrisht që shkuarja në zgjedhje shihet e domosdoshme dhe imediate.
Prandaj, dorëheqjen e Haradinajt, as lotin në syrin e tij, nuk duhet parë si dorëheqje emotive, e as brejtjeje ndërgjegje që shpesh politikanë të ndryshëm e bëjnë kur zihen në flagrancë dhe akte që bie ndesh më të mirën edhe etikën publike.
Është dorëheqje dhe lot i pasinqertë. Është një dorëheqje e kalkuluar mirë e Ramush Haradinajt.
Me pasoja që ka lënë prapa vetes për dy vite me radhë, Haradinaj do ta ketë të vështirë të gjejë partner për ardhmen, e aq më pak mbështetje nga miqtë ndërkombëtarë. Ka mundësi që sot ishim dëshmitarë të përmbylljes së vaktit të Haradinajt.
Por, politika gjithmonë të befason. Sidomos në Kosovë./Periskopi/












