Analistët: Haradinaj është i penduar për dorëheqjen, veprimet e tij janë kontradiktore e anti-kushtetuese

Të premten, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqja nga posti i të parit të qeverisë. Kjo dorëheqje e tij erdhi pasi kishte pranuar ftesë nga Gjykata Speciale – nga e cila u intervistua në cilësinë e të dyshuarit para dy ditësh, shkruan lajmi.net. Me t’u kthyer në Kosovë, Haradinaj thirri ministrat e qeverisë së […]
Kjo dorëheqje e tij erdhi pasi kishte pranuar ftesë nga Gjykata Speciale – nga e cila u intervistua në cilësinë e të dyshuarit para dy ditësh, shkruan lajmi.net.
Me t’u kthyer në Kosovë, Haradinaj thirri ministrat e qeverisë së tij për mbledhjen e radhës – ani pse dorëheqja e tij ishte e parevokueshme dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme.
Kthimi në zyrën e kryeministrit i Haradinajt po shihet si anti-kushtetues dhe për këtë vet Haradinaj iu është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, analistët dhe njohësit e politikës po i shohin këto veprime të Haradinajt si kalkulime të tij.
Analisti, Shkodran Ramadani është shprehur se vendimi për dorëheqje i Haradinajt ishte kalkulim politik dhe spektakël.
“Haradinaj atë vendim e ka marrë që t’i paraprij rrëzimit të qeverisë që ka mundur të vijë nga partnerët e koalicionit dhe dorëheqjen e ka shfrytëzuar për poena të tij politik, të bëjë spektakël dhe të krijoj një momentum të favorshëm për të dhe të hyjë në zgjedhje si një politikan i fortë, që përndiqet nga shumë gjykata e gjëra”, tha Ramadani për lajmin.
Ramadani tha gjithashtu se edhe qytetarët e kanë kuptuar se dorëheqja e Haradinajt është një hiperbolizim, duke thënë se tani Haradinaj duket i penduar për dorëheqjen e tij.
“Pasi ka shkuar atje, njerëzit fillimisht u solidarizuan me të, por e panë se hera e dytë, dorëheqja e kësaj radhe nuk ishte e njëjta me të vitit 2005, sepse në atë vit ishte dorëheqje për shkak të aktakuzës, ndërsa tani është dorëheqje për shkak të një interviste dhe e kanë vërejtur që është hiperbolizim. Euforia që shpërtheu ditën e dorëheqjes tani më nuk është sepse njerëzit e kanë vërejtur që Haradinaj e ka hiperbolizu një intervistë të zakonshme të cilës i janë nënshtruar edhe 60 ish-pjesëtarë tjerë të UÇK-së, dhe tani pasi Haradinaj e ka vërejtur që nuk po i shitet ky narrativ për vetën duket se Haradinaj është penduar për dorëheqjen sepse e ka kuptuar se dorëheqja e tij nuk çon drejtpërdrejt në zgjedhje, në zgjedhje shkon shteti vetëm kur parlamenti përmes mocionit e rrëzon qeverinë, ndërsa në rast të dorëheqjes së kryeministrit nuk ka zgjedhje të reja dhe tash ish-kryeministri Haradinaj e ka gjetë vetën në pozicion të palakmueshëm, sepse as nuk ka zgjedhje e as nuk mund të kthehet në qeveri”, tha Ramadani më tutje.
Duke komentuar veprimet e kësaj jave të ish-kryeministrit Haradinaj, Ramadani tha se mbledhja ishte jo-kushtetuese.
“Mbledhja është jo-kushtetuese, ai nuk ka të drejtë të thërras mbledhje sepse nuk është më kryeministër. Thirrja e tij të mbajë mbledhje, është pendim për dorëheqje sepse e ka parë se dorëheqja e tij nuk po e arrin efektin të cilin ai ka dashur – pra, zgjedhjet”, tha Ramadani më tutje.
Në fund Ramadani tha se tani veprimet e Haradinajt janë për të fituar kohë, ndërsa theksoi mundësinë e një qeverie teknike e cila sipas tij po kërkohet nga ndërkombëtaret.
“Dhe kur ai tani e ka parë se vendi nuk po shkon në zgjedhje është i hutuar dhe e ka parë se vendi nuk po shkon në zgjedhje. Tani ai e ka dërguar në kushtetuese të fitojë kohë. Ambasadorët, përveç atij britanik që ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, të gjitha ambasadat tjera kanë kërkuar qeveri funksionale. Tani Haradinajt i ka hasur sharra në gozhdë”, tha Ramadani në fund.
Edhe Imer Mushkolaj i sheh veprimet e Haradinajt si kontradiktore duke shtuar se tani është vetëm ish-kryeministër.
“Po veprime kontradiktore sepse Haradinaj publikisht të premten dha dorëheqje të parevokueshme – që nënkupton se më nuk mund të ushtroj detyrën e kryeministrit dhe tani është vetëm ish-kryeministër. Njohësit e Kushtetutës thonë se rrëzimi me mocion i kryeministrit dhe dorëheqja ndryshojnë shumë. Sepse po të rrëzohej me mocion do të mund të ushtronte detyrën e kryeministrit, ndërsa në dorëheqje nuk ka të drejtë”, tha Mushkolaj.
Sipas Mushkolajt, pas dorëheqjes Haradinaj do të duhej të shkonte në shtëpi dhe jo në zyrë.
“Ai sot zgjodhi të mbajë një mbledhje të qeverisë edhe pse dështoi pasi nuk mundi të diskutohet rendi i ditës fare, por janë veprime kontradiktore kinse po kujdeset që të mos dëmtohen institucionet, mos të mbetet Kosova pa qeveri, por nëse është dashur që të kujdeset, ose nëse ka pasur ndërmend të kujdeset kaq shumë është dashur të mendojë më herët si të veprojë. Sepse nëse jep dorëheqje duhet të shkojë në shtëpi e jo në zyrë”, tha Mushkolaj më tutje.
Analisti Mushkolaj tha gjithashtu se Haradinaj me aktin e dorëheqjes ka kërkuar zgjedhje të menjëhershme për çfarë sipas tij, nuk po i ngutet presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
Haradinaj edhe me aktin e dorëheqjes ka kërkuar të shkojë në zgjedhje menjëherë por po duket se presidentit Thaçi nuk po i ngutet tash e një javë. Ka bërë të ditur se javën e ardhshme do t’i konsultoj por nuk ka treguar për çka. Unë nuk pres problemi të zgjidhet shpejtë dhe po duket sikur shkuarja në zgjedhje do të dalë më e komplikuar sesa që është pritur.
Sipas Mushkolajt është e mundur një qeveri teknike e cila varet nga Lidhja Demokratike të Kosovës dhe që është kërkesë e partnerëve ndërkombëtar.
Mushkolaj gjithashtu ka shtuar se LDK po e pret datën e 3 gushtit, por sipas tij, edhe presidenti Thaçi po e pret datën e njëjtë.
“E mundshme është një qeveri teknike sesa vazhdimi i kësaj qeverisje me një mandatar të ri nga ky koalicion sepse kundërshtitë mes partive politike janë të mëdha. Nuk e përjashtoj një qeveri teknike duke marrë parasysh interesat e partnerëve ndërkombëtarë, por për t’u bërë kjo qeveri teknike duhet të arrihet një marrëveshje politike dhe besoj që këtë marrëveshje Vetëvendosja nuk do ta nënshkruaj, kështu që topi mbetet tek LDK-ja, dhe për ta krijuar një përshtypje më të qartë për këtë duhet të pritet 3 gushti i zgjedhjeve të LDK-së dhe mendoj se edhe presidenti po e pret këtë që të vendos më qartë për ushtrimin e kompetencave të tij”, tha Mushkolaj.
Partitë politike në Kosovë janë shprehur të gatshme për zgjedhje, por në anën tjetër, partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga politikanët në Kosovë një qeveri funksionale.
Se sa është e mundur të ketë një qeveri teknike në Kosovë mbetet të shihet pas takimeve që do të kenë partitë politike me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe cili do të jetë qëndrimi i ambasadave të partnerëve në Kosovë.












