UNICEF mirëpret miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve

Pas miratimit të Ligjit mbi Mbrojtjen e Fëmijëve nga Kuvendi i Kosovës, shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, ka thënë se UNICEF feston këtë hap të rëndësishëm duke përgëzuar deputetët e Kosovës të cilët ishin të bashkuar për të aprovuar Ligjin për mbrojtjen e të gjithë fëmijëve. Ai thotë se me këtë […]
Ai thotë se me këtë ligj do të mbrohen fëmijët që ta realizojnë potencialin e tyre.
“Sot Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve. Por çfarë ndodh pas kësaj? Për Rijadin, 14 vjeç me paralizë cerebrale, ose Dafinen, një vajzë 10 vjeçare që jeton në familje strehuese? Miratimi i këtij ligji është vetëm hapi i parë drejt një rruge që kërkon angazhim nga të gjithë, në mënyrë që Rijadi dhe Dafina të mbrohen dhe të mund të realizojnë potencialin e tyre të plotë”, ka thënë ai.
Ai iu ka bërë thirrje shoqërisë civile, institucioneve dhe organizatave dhe agjencive ndërkombëtare që të punojnë ngushtë me komunitetin për të shpjeguar përfitimet që kanë fëmijët dhe prindërit e tyre nga ky ligj.
Sipas tij, asnjë fëmijë nuk duhet të neglizhohet, abuzohet, shfrytëzohet dhe çdo fëmijë duhet të pajiset me kujdesin, shëndetin dhe mirëqenien e nevojshme, në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës.
“Ne, si UNICEF, premtojmë se do të vazhdojmë mbështetjen e institucioneve të Kosovës për ta përkthyer këtë ligj në shërbime për fëmijët. UNICEF-i është i mandatuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe do të avokojë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të tyre themelore dhe për të zgjeruar mundësitë e tyre për të arritur potencialin e tyre të plotë”, ka thënë ai.
Sipas tij, UNICEF-i në Kosovë synon të sigurojë që të gjithë fëmijët, pavarësisht nga përkatësia e tyre socio-ekonomike ose etnike, të kenë qasje në shërbime cilësore dhe miqësore dhe mundësi për t’i ndihmuar ata të mbijetojnë, të zhvillohen dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe të bëhen qytetarë aktivë dhe përgjegjës të komunitetit.












