Këshilltari Latifi komenton historinë e emrave të kosovarëve

Ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi, ka bërë një postim në lidhje me historinë 50 vjeçare të emrave të kosovarëve. Z.Latifi, i cili ka distancuar veten nga Kadri Veseli në çdo postim që shkruan për çështje jopolitike, i ka vënë epigrafin postimit të tij “Moda e emrave në Kosovë: Nga shoku Tito, përmes Enver […]
Ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi, ka bërë një postim në lidhje me historinë 50 vjeçare të emrave të kosovarëve.
Z.Latifi, i cili ka distancuar veten nga Kadri Veseli në çdo postim që shkruan për çështje jopolitike, i ka vënë epigrafin postimit të tij “Moda e emrave në Kosovë: Nga shoku Tito, përmes Enver Hoxhës, te Pakistani”, shkruan Periskopi.
Ai përmend liderin komunist, Josip Broz Titon, dhe vëllazërinë diplomatike që e kishte bërë me Naserin e Egjiptit dhe Gadafin e Libisë në vitet 60, pas së cilës “në Kosovë filluan fëmijëve pasivisht t’u vënë emrat Naser e Gadaf.”
Kjo është historikisht e pasaktë. Gadafi e mori pushtetin në Libi në vitin 1969 dhe aleancën e përmendur me Jugosllavët e nisi në vitin 1973. Për shkak se shkrimi i z.Latifi përmban një vijë kronologjike, kjo e shemb në tërësi arsyen prapa saj.
Ai përmend kohën kur kosovarët nisën blerjen e televizorëve nga vitet ‘60 e deri më ‘81 brenda universit latifian, për t’u njoftuar me Radiotelevizionin e Shqipërisë dhe për t’iu lënë emra si Berat, Milot, Sarandë, Vlorë, Ilir. Gjë që po ashtu me sy të lirë vërehet se nuk qëndron.
Sidoqoftë, nga statistika e lexuar së fundi nga Latifi thuhet se emrat më të shpeshtë që u vihen fëmijëve [ai mendon specifikisht për fëmijët e seksit mashkull] aktualisht në Kosovë janë “Ajan dhe Noar” njëri me origjinë arabo-hebraike ndërsa tjetri me origjinë pakistaneze.
Por, Latifi nuk arrin t’i japë një farë boshti shkrimit të tij ose të tregojë logjikën prapa ndryshimit të modës në emra.
Ky është postimi i tij i plotë në Facebook:
MODA E EMRAVE NË KOSOVË : NGA SHOKU TITO, PËRMES ENVER HOXHËS, TE PAKISTANI
Emrat që prindërit u vënë fëmijëve të tyre, nuk shprehin vetëm bindjet dhe shijet kulturore të prindërve, por edhe trendet e bindjeve dhe shijeve në shoqëri.
Në vitet 60-të, të shekullit të kaluar, kur Tito promovonte vëllazërinë e tij diplomatike me Naserin e Egjiptit dhe Gadafin e Libisë, në Kosovë filluan fëmijëve masivisht t’u vënë emrat Naser e Gadaf.
Më vonë, kur kosovarët filluan të blejnë televizora dhe të shikojnë programet e Radiotelevizionit të Shqipërisë, trendi i emrave ndryshoi. Tani u shfaqën emrat Berat, Milot, Sarandë, Vlorë, Ilir. Pas vitit 1981, kur konflikti me Serbinë dukej qartë në horizontin e të ardhmes, filluan të shfaqen emrat me përmbajtje luftarake: Çlirim, Fitore, Liridona, Shpëtim, e të tjerë të këtij karakteri.
Sot, trendi ka ndryshuar prapë. Në një statistikë lexova se emrat më të shpeshtë që u vihen fëmijëve aktualisht në Kosovë janë Noar dhe Ajan. I pari është emër arabo-hebraik, i dyti është emri më i preferuar për fëmijët në familjet pakistaneze.
Për fund dy gjëra :
E para : Unë jam kritik ndaj regjimit të Enver Hoxhës, për shkak të karakterit të tij totalitar, por duket qartë se nacionalizimi i emrave në Kosovë, është efekt i ndikimit të Shqipërisë enveriste, gjatë vite 70-të e 80-të, të shekullit të kaluar. Në Shqipëri për shkak të urrejtjes që kishin ndaj regjimit komunist, të nesërmen e shembjes së tij, njerëzit filluan t’i ndryshojnë emrat me përmbajtje nacionaliste.
E dyta : Njerëzit, në fund të fundit, janë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre individuale, në kuadër të modës kulturore. Ky është princip i shoqërisë liberale.












