Thaçi – Mustafës: Dua që të jeni në krah me mua, Lugina të bashkohet me Kosovën dhe Kosova me Shqipërinë

Presidenti Hashim Thaçi i është kundërpërgjigjur kreut të LDK’së, Isa Mustafa pasi ky i fundit dje tha se debati mes tij dhe ish-kryeministrit Sali Berisha është i dëmshëm dhe i panevojshëm. Mustafa ia përmendi edhe korrigjimin e kufijve, transmeton Periskopi. Ndërsa, sot, Presidenti Thaçi ka falënderuar Mustafën për këshillat, duke e ftuar që të mbështesë […]
Ndërsa, sot, Presidenti Thaçi ka falënderuar Mustafën për këshillat, duke e ftuar që të mbështesë idenë e tij për bashkëngjitjen e Luginës me Kosovën, dhe Kosovën me Shqipërinë.
‘’Kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa, nëpërmjet një postimi më paska dhënë disa këshilla. Duke e falënderuar atë për këtë përpjekje, ritheksoj se asnjë e keqe nuk i vjen vendit nga debati dhe paraqitja e pikëpamjeve të ndryshme për realizimin e qëllimit të përbashkët. Korrigjimi i padrejtësive ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve është përkushtimi im i pandalshëm. Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyllë dyert e saj për ne. Ju z. Mustafa dhe shumë të tjerë mund të më këshilloni. Kjo më bën më të fortë në punën time drejt qëllimit final. Ndoshta ju mendoni se unë jam i vetëm sot në këtë mision, i cili për ju dhe disa të tjerë duket i pamundur. Por, mos të harrojmë se vetëm 20 vjet më parë edhe liria dhe pavarësia jonë janë dukur të pamundura. Në përpjekje për arritjen e këtij qëllimi, unë kërkoj miq dhe aleatë. Unë dua që ju z. Mustafa, të jeni në krah me mua. Të tjerët që hezitojnë sot duhet ta mendojnë mirë këtë çështje, por mos të vonohen shumë. Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë’’, ka shkruar Thaçi.
Isa Mustafa dje shkroi në Facebook se Sali Berisha nuk ishte bashkëpunëtor i Millosheviqit e as Thaçi i Vuçiqit.
Ish-kryeministri Berisha kohëve të fundit ka eskaluar në akuza të rënda ndaj Thaçit, duke e quajtur edhe ”argat të Serbisë dhe se do copëtimin e Kosovës”.
Ndërsa edhe Presidenti Thaçi e kishte cilësuar atë si argat të Sllobodan Millosheviqit për tri dekada./PERISKOPI/












