Si ia dolën disa tinejxherë maqedonas ta përçanin Amerikën: Gazetarja rrëfehet para BBC-së se si bënin Fake News

Në Maqedoninë Veriore ka një industri të vogël të sajteve të internetit që publikojnë artikuj politikë të rremë e nxitës që e kanë synim lexuesin amerikan. Ky artikull është botuar nga Simon Oxenham i BBC-së dhe përkthehet dhe përshtatet nga Periskopi. Nëse e shpërfillni përmbajtjen, dita tipike e një shkruesi të “lajmeve të rreme” do […]
Ky artikull është botuar nga Simon Oxenham i BBC-së dhe përkthehet dhe përshtatet nga Periskopi.
Nëse e shpërfillni përmbajtjen, dita tipike e një shkruesi të “lajmeve të rreme” do të dukej si e çdo pune tjetër nëpër zyre. Çdo mëngjes, Tamara do ta hapte llaptopin e saj për t’u futur në një dokument që përmbante tetë storje me origjinë në anën tjetër të botës, në ShBA. Në atë dokument ndodhej edhe afati se kur duheshin kryer ato storje, e asnjëri afat s’ishte më larg se disa orë më vonë. Detyra e saj ishte të rishkruante secilën storje me kohë.
Dallimi? Tamara po rishkruante artikuj të fabrikuar dhe të rremë për dy sajte të mëdha interneti në Maqedoninë e Veriut që i dërgonin më pas drejt lexuesve amerikanë. Puna e saj ishte të ndreqte kopjet gjysmë-plagjiaturë të artikujve fillimisht të publikuar në sajtet e ekstremit të djathtë në ShBA, në mënyrë që shefi i saj t’i shërbente te amerikanët mosdyshues mijëra kilometra larg.
Fola me Tamarën në fund të vitit 2018 në një kafene të Shkupit, kryeqytet i Maqedonisë së Veriut. Brenda tre ditësh ajo më tregoi në detaje se çfarë pune kishte bërë për nëntë muaj. Perspektiva e saj në tregun e punës mund të ishte vetëm ajo e punëtores së vetme, storja e saj cullakon realitetin se qysh ishte të punoje brenda këtyre sajteve.
Tamara donte të mbetej anonime, në mënyrë që ta mbronte identitetin e saj, prandaj emri i saj dhe i individëve me të cilët punon është ndryshuar. Ky artikull po ashtu përmban një gjuhë të fortë.
Një ditë në prillin e 2017-s, Tamara pranoi një thirrje telefonike nga një shoqe. “E di që s’po merresh me asgjë, por ka një mënyrë për të bërë para pa e lënë fare shtëpinë,” – i kishet thënë ajo. “Je e mirë në kuptimin e politikës dhe je e mirë në anglisht, kështu që a do të doje të punoje në faqet e lajmeve?”
“Unë i thashë ‘Po, pse jo’” – kujtohet ajo.
Hapi i radhës ishte një video-thirrje me ‘Marco’-n, një i ri me sjellje të çuditshme dhe me një ofertë pune.

“Kur pranova thirrjen dhe Marco më shpjegoi se çfarë lloj sajti i lajmesh ishte ai, e kuptova se do të punoja për ‘fake news’, lajmet e rreme,” thotë Tamara.
Përgjatë video-thirrjeve tjera, Marco do të ndante ekranin e llaptopit të tij me të për t’i treguar se si të postonte artikuj në sajtin e tij dhe se si të përdorte Photoshopin për të edituar imazhet. “Ai ishte shumë u turpshëm dhe i çuditshëm,” thotë Tamara. “Ndoshta se unë isha më e vjetër se ai dhe po punoja për të, ai ndihej pak i parehatshëm me atë relacion, si shefi im.” Ajo ishte në mes të viteve 20 ndërsa Marco sapo i kishte mbushur 20 kur Tamara iu bashkua ekipit të tij.
Do të kalonin edhe dy muaj para se ajo ta takonte Marcon për herë të parë. Ajo rregullisht do të merrte rrugë drejt qytetit të vogël maqedonoverior për të marrë një zarf me kesh nga Marcoja.
Tamara, e cila e përshkruan veten si liberale, ishte e tmerruar nga përmbajtja e artikujve që i duhej të rishkruante. “Besoj se ende i kanë artikujt më të këqij,” thotë ajo, duke e hapur një faqe në llaptopin e saj, duke naviguar në një sajt interneti nga i cili rregullisht kopjon përmbajtjen. E shikova derisa shtypte shkronja në kërkimore.
“Siç mund ta shihni sapo e shtypa ‘sulmet e myslimanëve’ dhe aty ka aq shumë artikuj për myslimanët që sulmojnë njerëzit. Shumë prej tyre besoj se nuk janë as të vërteta, janë thjesht të sajuara.” Vetëm ky sajt i listonte gati 100 faqe të rezultateve të kërkimeve për atë pyetje. Duke e parë më afër vëren se artikujt e tillë përmbanin pasaktësi tmerruese dhe imazhe të marra nga ngjarje krejt të ndryshme. Tamarës i kërkohej që thjesht të gjente imazhet duke përdorur Google-n që t’i ngjiste më pas me artikujt e publikuar.

Shumë nga gjërat që Tamara publikoi ishin keqinformime bazuar në ngjarje të vërteta, të shkruara në mënyrë që të provokonte frikë e zemërim mes lexuesve. Në përgjithësi, storjet ofronin një pamje të rreme të botës, duke luajtur me paragjykimet e tyre.
“Ajo gjë ndodhi, njerëzit ishin aty, vendet ishin aty. Kështu që nuk ishte kurrë storje e rreme në sensin e fabrikimit të çdo detaji. Ishte propagandë dhe shpëlarje e trurit në mënyrën se si tregohej storja,” thotë Tamara.
Puna e Tamaras ishte që të rishkruante artikujt origjinalë amerikanë në mënyrë që të mos detektoheshin si tekst plagjiaturë, po ashtu duke i bërë më kompaktë dhe me më shumë gjasa për t’u shpërndarë në mediat sociale, duke i gjeneruar para sajtit të Marcos. Një sajt i ngjashëm i ‘fake news’ që punonte në Veles me rreth 1 milion pëlqime Facebook-u thuhet se ka arritur t’i fitonte mbi 2 mijë Dollarë në ditë. Kjo është thënë nga vetë pronari në një intervistë për CNN-in. Marco i udhëhiqte dy sajte, për të cilat Tamara më tha se i kishin mbi 2 milionë ndjekës Facebooku.
Kur e pyeta se mos e afektonte atë vetë ajo punë që e bënte të lexonte aq shumë përmbajtje të tillë, Tamara i përshkruan ndjenjat e përziera. “Gjithë kohën që shkruaja këto storje, gjithnjë mendoja “Oh zot, kush do t’i besojë këtij bërlloku? Sa e pagdhendur, sa inteligjencë të vogël duhet të kesh veç që t’i lexosh ato’. Është e zorshem t’i lexosh ato. Janë të gjatë, ndoshta 1 mijë fjalë dhe i gjithë artikulli ndoshta përmban dy fjali lajmesh dhe pas kësaj gjithçka është thjesht fyerje. Është e zorshme të lexohet. Është edhe e pakëndshme,” tha Tamara.
Më pas më thotë diçka që nuk e pres. “Zakonisht i shkurtoja këto artikuj dhe i shmangia ato pjesë që s’doja t’i shkruaja. Ose vendosja diçka që doja të ishte aty,” thotë ajo, duke qeshur. “Për shembull, nëse ata po sulmojnë, le të themi, myslimanët gjithë kohën, do të bëhesha aq e tërbuar me gjithë këtë sa vendosja në fund diçka të mirë që shefi nuk do ta vërente sepse nuk do t’i lexonte krejt artikujt gjithë kohën. Kjo ma lehtësonte dhimbjen time”. I kërkova të ma jepte një shembull. “Oh, diçka si ‘në fund të ditës, çdokush është i barabartë’. Diçka të tillë”.
A ishte ndikuar nga përmbajtja? Në fund të fundit, disa studime kanë treguar se thjesht të përsëriturit e deklaratave të rreme i bën njerëzit që t’i besojnë ato. “Isha e vetëdijshme se po shkruaja shumë storje për myslimanët, se si ata duan ta shpërndajnë propagandën e tyre dhe se si duan që të gjithë të jetojmë sipas rregullave të tyre e gjëra të tilla, dhe një herë e zura veten duke menduar një gjë të kësaj natyre. Kështu që isha e befasuar. Nënvetëdijshëm më kishte ndikuar disi, kjo propagandë, sepse askush nuk është imun ndaj kësaj gjëje.”
Ajo thotë se pikëpamjet e saj politike në fakt janë krejt të ndryshme nga ato që i shkruan.
Në vitin 2016, vetëm një javë para zgjedhjeve presidenciale amerikane, Buzzfeed zbuloi që mbi 140 sajte lajmesh që ofronin ‘lajme të rreme’ vinin nga Velesi. Tinejxherët që i udhëheqin këto sajte pretendojnë se fitojnë mijëra dollarë në ditë e në muaj për atë që bëjnë.
Tamara, megjithatë nuk bëri aq shumë para. Ajo paguhej 3 euro për një postim, dhe arrinte që për një ditë t’i kapte 24 eurot. Kjo mund të jetë një shifër e vogël për disa, por në vendin e varfër ku jeton është trefishi i pagës mesatare.
Në dhjetorin e 2017-s, Facebooki i mbylli disa faqe të lajmeve të rreme nga sajti i saj, përfshirë atë të Marcos. “Po punoja atë ditë. Kur faqet e Facebook-ut u mbyllën, provova t’i shkruaja Marcos në Messenger [të Facebookut]. Faqja e tij [personale] po ashtu ishte mbyllir, kështu që e thirra dhe e mora vesh se ai ishte tronditur”. Pas kësaj, ata nuk komunikuan më, deri këtë verë, kur Tamara pranoi një thirrje telefonike prej Marcos që e pyeti mos donte të shkruante për një sajt tjetër. Ajo e refuzoi.
Kush janë shtytësit kryesorë të këtyre sajteve? Deri së voni është besuar gjerësisht se sajtet e lajmeve të rreme dolën në Maqedoni të Veriut fare spontanisht nga tinejxherët lokalë që donin të fitonin para.
Sipas provave të reja, del diçka tjetër. Sipas Buzzfeed News, ai që e kishte filluar industrinë e vogël të lajmeve të rreme në Veles ishte avokati i medieve maqedonoveriore Trajche Arsov, që kishte punuar me disa partnerë amerikanë të profilit të lartë, përfshirë Paris Wade-in, një kandidat republikan që garoi për Asamblenë Shtetërore të Nevadas.
Kur i dhashë lamtumirën Tamarës dhe po e ngisja veturën nëpër një rrugë të gjatë përmes fqinjëve të Maqedonisë së Veriut, nëpër Kosovë, Shqipëri e Bosnje, u godita nga një ironi e hidhët. Ky është një rajon, Ballkani, që në kujtesën tonë njihet si i formësuar nga përçarjet mes popujve. E vërteta e trishtë është se tash është bërë shtëpia për sajte interneti që ushqejnë përçarjen e polarizimin tjetërkund – kësaj here, dhjetëra mijëra kilometra larg në ShBA. /Periskopi












