Shpjegimi për hutimet e çuditshme të Haradinajt: Ja çka thoshte më 2014

Nëse pyet një qytetar të Republikës së Kosovës se sa zëvendësministra i ka Qeveria e tij, nuk do të jetë në gjendje të thotë një numër specifik. Por, një gjë të tillë nuk e di as vetë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj – i cili dikur bënte thirrje që Qeveria të kishte një […]
Numri i zëvendësministrave është një mister. Mund të jenë 70, 75 apo edhe 80. Ajo që dihet me siguri të plotë është shtimi i masës së abuzimit me pushtetin në këtë formë. Gjërat kanë dalë jashtë kontrollit aq shumë, sa duket e pamundur që liderët e partive politike në pushtet të bëjnë ndonjë gjë.
Mirëpo, kryeministri aktual që ishte opozitar i ‘sporteve të rënda’ dikur, mbante një qëndrim hapur kundërshtues ndaj kësaj dukurie në fund të vitit 2014, shkruan Periskopi.
Në një postim që po qarkullon në rrjetet sociale, e që mban datën e 16 dhjetorit të 2014-s, Haradinaj thoshte se “Qeveria nuk guxon të ketë më shumë se një zëvendësministër [për ministri]”.

Haradinaj madje, në rolin e opozitarit, e shihte qeverisjen me shumë zëvendësministra [e që, megjithatë kishin më pak se vetë qeveria e tij], si “abuzim arrogant me pushtetin, vetëm për interesa të ngushta klienteliste.”
Në atë vakt, ai e cilësonte ‘zvogëlimin e kabinetit qeveritar’ si domosdoshmëri dhe iu bënte thirrje liderëve politikë që t’i ndalnin ato veprime duke shtuar se qasja e tyre “po tregonte se Kosova po forcohet në Parti-Shtet!”
Kjo ngre një varg pikëpyetjesh. Më e vogla, mbi besueshmërinë e Ramush Haradinajt, pasi i njëjti e kishte ndërruar radikalisht qëndrimin edhe për demarkacionin. Pse lejoi që të mundej e poshtërohej nga klientelizmi? Duket se ky është shpjegimi mbi hutitë e tij të çuditshme në paraqitjet e tij mediale. /Periskopi












