Serbia përgatit raport: Këto janë nëntë organizatat që s’e pranuan Kosovën, e 13 shtetet që tërhoqën njohjen

Të hënën, më 27 maj, është paraparë të mbahet mbledhja e Kuvendit të Serbisë kushtuar Kosovës. Disa parti opozitare serbe kanë paralajmëruar bojkotimin e kësaj seance parlamentare pasi, sipas tyre, ajo është aktrim i presidentit Vuçiq, i Qeverisë serbe dhe i partive të koalicionit. Në seancë është paraparë të flasë presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Medie […]
Medie serbe sot kanë publikuar pjesë nga raporti i negociatave ndërmjet Serbisë e Kosovës që nga vitit 2013 deri në majin e këtij viti.
Në këtë raport, këto medie, kanë gjetur ato që i kanë quajtur “JO”-të ndërkombëtare që i janë bërë Kosovës nga bota që nga shpallja e pavarësisë e deri më tash.
Kështu, sipas asaj që përcjell gazeta e Beogradit “blic” që nga vitit 2014 Kosova është penguar të pranohet në nëntë organizata ndërkombëtare.
Brenda katër vjetëve, nga viti 2014 deri në vitin 2018, 13 shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, thotë raporti, transmeton Koha.
Aty përkujtohen nëntë organizata ndërkombëtare në të cilat është penguar anëtarësimi i Kosovës: Organizata Botërore e Doganave, Interpoli, Organizata Ndërkombëtare e Verës dhe e Hardhisë së Rrushit, (IOV) Unioni Evropian Studentor, Unioni Evropian i Radio – Difuzionit(EBU ), Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme Revizore, Rrjeti Ndërkombëtar i Transmetimit Operativ të Sistemit për Energji Elektrike dhe Shoqata Ndërkombëtare e Transportuesve Ajrorë.
Po ashtu nga viti 2014 deri në vitin 2018, 13 shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës: Ishujt Solomon, Suriname, Burundi, Liberia, Papa Guineja e Re, Lesoto, Komonwelth Dominika, Grenada, Komoret, Madagaskari, Palau, Guineja Bisao dhe Sao Tome e Principe.
Shtetet që e kanë njohur Kosovën nga viti 2014 deri në vitin 2018 janë: Tonga, Singapori, Antigua dhe Barbude, Togo, Bangladeshi dhe Barbadosi, shkruan në raport.












