Refuzim e përplasje – Krejt çka ndodhi në Kuvend derisa u arrit konsensusi për Tribunalin për gjenocidin serb

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është arritur konsensus mes deputetëve të të gjitha partive për nismën e kryetarit të Kuvendit dhe PDK’së, Kadri Veselit për themelimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë – raporton Periskopi. Grupet parlamentare janë pajtuar që të mblidhen së bashku, në një komision ad-hoc, për të harmonizuar […]
Grupet parlamentare janë pajtuar që të mblidhen së bashku, në një komision ad-hoc, për të harmonizuar qëndrimet që më pas të votohet bashkërisht nisma për themelimin e tribunalit.
Grupet parlamentare do të harmonizojnë qëndrimet edhe rreth Ditës së Gjenocidit, ndërtimit të Muzeut të Gjenocidit, dhe Muzeut të Dëbimit.
Propozimin e këtij Komisioni e ka propozuar deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli, i cili kërkoi që aty të harmonizohen qëndrimet e gjithë deputetëve për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.
Ky propozim i tij u miratua me 62 vota për dhe asnjë kundër.
“Propozimi im konkret është që Kuvendi i Kosovës të krijoj një komision parlamentar, i cili pastaj do ta ketë për bazë këtë tekst, i cili na është dorëzuar ne, t’i harmonizojmë qëndrimet dhe pastaj bashkarisht, pra duke pasur këtë parasysh këtë rëndësi të madhe të çështjes, për të cilën kemi diskutuar edhe javët e kaluara në kuvend, që të ulemi bashkërisht dhe ta harmonizojmë një tekst, i cili do të miratohet me shumicë e anëtarëve të Kuvendit”, tha Topalli.
Ai tha se janë për krijimin e një tribunali dhe vënien e drejtësisë dhe të ndiqen të gjithë ata që kanë shkaktuar krime të luftës. Sipas tij, duhet të kalohen vijat dhe interesat partiake, e të krijohet një konsensus mbipartiak, për krijimin e një tribunali.
Sherifi me shpjegim interesant për rezolutat e Kuvendit
Deputeti nga radhët e NISMA’s, Bilall Sherifi tha se në seancën e sotme do të duhej të votohej Tribunali, e jo të rihapej debati për të, meqë është kryer seancën e kaluar.
“Sot nuk besova se do të rihapet debati për pikën e rendit të ditës, e cila ka përfundu, kemi debatuar tërë ditën javën e kaluar, jemi në momentin kur duhet të votohet.
Ai rezolutat e grupeve parlamentare i ka shpjeguar në mënyrë së si e dizajnojmë një dhomë.
“Hajde pra po e hapim debatin, po e filloj me Fatonin i cili i tha kryetari të Kuvendit se e ka ofru një dhomë të mbushur me orendi, por neve dy-tri palëve nuk po na pëlqen qysh është dizajnu, hajde të krijojmë një komisioni ku e shohim se qysh po e mbushim me orendi atë. Kushdo që beson që Tribunal do të jetë zëvendësim i gjyqësorit të Kosovës është naiv ose dashakeq ”, tha ai.
Haradinaj për Tribunalin: A ma përpara me maru hekurudhën a trenin?
Në seancën e sotme, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ua ka rikujtuar deputetëve se javën e kaluar të gjithë kanë qenë unik për këtë rezolutë.
“Të gjithë po pajtohemi që ka pas krime dhe ne e kemi kalu një rezolutë javën e kaluar e cila e dënon gjenocidin serb në Kosovë, ndërsa me sa e di unë të gjithë anëtarët që kanë qenë në komision, kanë qenë unik në miratimin e asaj draft-rezolute”, tha Haradinaj.
Ai po ashtu kishte një pyetje për deputetet e opozitës.
“Të gjithë po pajtohemi që krimet serbe duhet me u dënu, pyetja është a ma përpara me maru hekurudhën a trenin?”, tha ai.
AKK në këtë komision shtetëror ka propozuar Muharrem Nitaj për anëtar.
Krasniqi: Edhe emrat kemi me ua qitë në pllakë, veç votojeni Tribunalin
I zëshëm kundër opozitarëve në debatin për Tribunalin Ndërkombëtar për gjenocidin serb ishte shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se është pak e rëndësishme se e kujt është ideja për votimin e këtij Tribunali.
Sipas tij, është e rëndësishme që ai të votohet.
“Veç votojeni, se ideja e kujtdo qoftë edhe emrat ua qesim në pllakë. Që njeri që është kryetar I Kuvendit ka thënë që tërhiqet nga kjo ide. Veç dilni e thoni që kjo është ide e jemja. Krejt dokumentet e Veselit le të shkatërrohen e të hiqen. S’ka lidhje”, ka thënë Krasniqi.
Tahiri – Kurtit: Mos e krahaso Specialen me Tribunalin, Serbia ka bërë krime e jo UÇK-ja
As seanca e sotme e Kuvendit nuk kaloi pa përplasje mes deputetëve e ministrave. Një e tillë ishte ajo mes deputetit të VV’së, Albin Kurti e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i ka reaguar deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili krahasoi Tribunalin Ndërkombëtar për Gjenocidin Serb me Gjykatën Speciale, sa i përket kohës së gjatë që duhet pasur në dispozicion për ta krijuar atë – raporton Periskopi.
Tahiri i ka thënë Kurtit se ai e di në çfarë presioni deputetët e kanë votuar atë Gjykatë Speciale.
Madje, thotë se as për 40 vite e as për 100 vite s’do të arrihen të dëshmohen krimet e pretenduara të UÇK’së, pasi ato nuk kanë ndodhur.
“E dimë me çfarë presioni e kemi themelu atë Gjykatë Speciale. Kurrë s’kanë me arrit me i dëshmu krimet e UÇk’së se s’ka pas. Ne jemi për gjithë ata që kanë kryer krime që të dalin para drejtësisë, pro ësjtyë e papranueshme që Kosova mos me ju drejtu Këshillit të Sigurimit për mijëra viktima. Është e drejtë e jona. Edhe nëse s’bëhet, historia duhet të mbaj mend kërkesën tonë. Edhe pas 100 viteve kërkohet drejtësi për luftën,. Është e drejtë e jona, andaj duhet të ndodh. S’duhet të krahasohet me Gjykatë Speciale kjo”, tha Tahiri.
Atij i reagoi sërish Kurti, i cili tha se Gjykatën Speciale e mori si shembull, derisa ia kujtoi se ai e ka kundërshtuar këtë Gjykatë.
“Unë e mora si shembull gjykatën që e kam kundërshtuar, për dallim prej kolegëve. Në konventën ndërkombëtare, na s’kemi kohë se po vdesin dëshmitar. Nëse po na ngutet për një Tribunal që na merr vite, pse s’po ngutemi ta votojmë ndryshimin e kodit të procedurës penale që mundëson dënimin e kriminelëve serbë edhe kur ata mungojnë. Ministri tha diçka për mu vendimtare. Tha edhe nëse s’bëhet Tribunali, neve na njeh drejtësia. Edhe nëse s’bëhet, ky është i përgatitur për dështim. Nuk duhet kështu. Kur të jesh gati që të bahet ky Tribunal, e sheh si i vjen fundi. Jemi të përgatitur për dështim. Duhet ta padisim Serbinë në GJDN. Nuk është çështje e vullnetit, por edhe dijes. Duhet të dihet se çka thonë juristët për këtë”, ka thënë Kurti.
E atij sërish i replikoi ministri Tahiri.
Ai i tha Kurtit se Tribunali edhe mund të dështoi, pasi një gjë e tillë nuk varet nga vullneti i institucioneve të Kosovës.
“Fakti që s’është në dorën tonë, po në OKB, ndodh që dështon. Vullneti ynë është që të ketë drejtësi ndërkombëtare. Nuk duhet të ndalemi në këtë kërkesë. Ka me pas shumë problem me dëshmu krime që UÇK ka kry ndaj civilëve. Për 15 vite kanë gjurmuar, po s’kanë gjetu kurrgjë. S’kanë me gjet as në 40 vitet e ardhshme. E dimë na çka po duam, dhe do të vazhdojmë. Pavarësisht kërkesës tënde me zvarrit këtë”, i tha Tahiri Kurtit.
Veseli: Bëni çka të doni, Tribunalin s’keni me ndal – Qe 20 vjet veç keni vajtu, e s’keni bërë gjë
Ndaj diskutimeve të deputetëve e zvarritjes së opozitës të votimit për Tribunalin Ndërkombëtar për gjenocidin serb, reagoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili iu drejtua atyre nga foltorja e Kuvendit.
Ai ka kritikuar përfaqësuesit e partive tjera politike për fushatën që thotë se po e bëjnë kundër idesë së tij për Tribunal Ndërkombëtar për gjenocidin serb – raporton Periskopi.
Veseli ka thënë se ka dy dekada që askush s’ka ndërmarrë një iniciativë të tillë për gjenocidin serb.
“S’ka pas hapa korrekt, po veç keni vajtu. Pse tash kjo fushatë kaq e rëndë tash kur dikush po ndërmerr diçka. Pse këto insinuata. Kjo iniciativë s’ka të bëjë me mua e ty. Po me fëmijët tonë, që ata të mos i përjetojnë ato që i përjetuam ne. As ndërmend nuk e kam të marrë flamurin për këtë, merreni kush të do. Pavarësisht të gjithave, dijeni që rezoluta e të gjitha të tjerat do të hidhen në votim. Rrotullone si të doni, zhdukni çdo emër që ka qenë deri tash, por iniciativa do të shkojë deri në fund. Mos manipuloni njerëzit”, ka thënë Veseli.
Kurti kundër Tribunalit me një rrebesh rimash: E kemi kontekstin, e kemi pretekstin por nuk e kemi tekstin
Sërish kundër idesë së Veselit për çështjen e Tribunalit për gjenocidin serb doli deputeti i VV’së, Albin Kurti.
Kurti ka recituar në Kuvendin e Kosovës teksa është shprehur skeptik për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar. Ai nuk e sheh këtë ide lehtë të realizueshme dhe thotë se është një hap që do të merrte shumë kohë.
“Në këtë situatë ndodhemi si pasojë e idesë së kryetarit të Kuvendit dhe shefit të PAN për Tribunal për gjenocidin e Serbisë. Pra e kemi edhe kontekstin, e kemi edhe pretekstin por nuk e kemi tekstin. Se si ecet më tutje, askush nuk e di. Edhe nëse do të ishte e mundur të themelohet një Tribunal ndërkombëtar, kush e di edhe sa kohë merr themelimi i tij. Pra kur thua Tribunal Ndërkombëtar, nuk do të thotë të ngutesh, përkundrazi do të thotë të mos ngutesh. Ideja për Tribunal është hap i ngadaltë. Ne duhet të ecim më shpejt”, ka thënë ai.
Krasniqi – Hotit: U bëmë horë
Përplasje në Kuvend pati edhe mes shefit të deputetëve të PDK’së, Memli Krasniqi dhe atij të LDK’së, Avdullah Hoti.
Krasniqi ka bërë thirrje që të tejkalohen inatet partiake e protagonizmi lidhur me çështjen e tribunalit për gjenocidin serb – raporton Periskopi.
Ai ka thënë se në seancën e sotme do të duhej të votohej për këtë çështje, meqë debati është kryer në seancën e kaluar.
“Përkundër faktit që ka përfunduar debati për këtë pikë, dhe do të duhej vetëm të votohej. Pa dashtë me i vlerësu procedurat. Qaq është një temë e rëndësishme për qytetarët. Ajo çka kërkoi LDK’ja është e njëjtë me atë që votuam ne. Ne votuam për formimin e një komisioni parlamentar me të gjitha partitë nëpër të cilin kalojnë të gjitha veprimet e ndërmarra. Ne votuam një Komision për këtë punë, çka po lypni tash. Ju kisha lut seriozisht, harrone për një moment protagonizmin, hajde të merremi me këtë temë, se u bonum hor para këtyre që po na përcjellin këtu e në ekran. Në Komision mund të merremi vesh për çdo hap tjetër. Ne jemi të gatshëm që një Komision parlamentar të takohet e të diskutoj për të gjithë hapat. Por lëreni protagonizmin mos ta rrezikojmë këtë çështje. Tash duhet të merremi vesh se kush duhet të jenë anëtarët e këtij Komisioni. Ndaqe besoni, ndaqe mos besoni, nuk e kemi protagonzimin me rëndësi, por themelimin e tribunalit për gjenocidin serb. Ju lus që para se të jeni partiakë, të veprojmë arsyeshëm. Do të diskutojmë në atë Komision kur të doni, e të vimë në seancë”, ka thënë Krasniqi.
Lufta për merita në Kuvend: LDK nxjerr nga mënga një rezolutë për Tribunalin
Reagimi i Memli Krasniqit kishte ardhur pas propozimit të LDK’së për një rezolutë për Tribunalin.
“Kriminelët të ndiqen fillimisht nga drejtësia vendore e pastaj nga ajo ndërkombëtare. Propozim vendimi duhet të përmbajë ndryshimet legjislative që janë të nevojshme si dhe kapacitetet institucionale për të ndjekur dhe dënuar kryerësit e krimeve të luftës edhe në mungesë. Mbledhja e provave. Pas kryerjes së këtyre veprimeve, shteti i Kosovës duhet të angazhohet në rrafshin diplomatik për krijimin e një Tribunali për gjenocidin serb në Kosovë”, ka thënë shefi i GP të LDK’së Avdullah Hoti teksa ka lexuar pikat e rezolutës.
Veseli: Sa për Tribunalin kurrë emrin mos ma përmendni, vetëm votojeni
I pari që e mori fjalën në seancën e sotme ishte kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili qysh në fillim iu bëri thirrje deputetëve që ta votojnë Tribunalin.
Nëse tha se një iniciativë e tillë po pengohet shkaku i tij, atëherë ai kërkoi që “mos t’i përmendet fare emri”.
“Thash në seancën e kaluar, jo që jam në gjendje të hjeku dorë prej vetvetes, por kurrë emri im mos u përmendtë, por kanë kaluar dy dekada edhe askush as në këtë Kuvend as askund nuk ka marrë iniciativë, bile goxha më bën nder, me e ndalë s’ka askush. Nuk ka nevojë fare të improvizohet, të dalin nga Grupet Parlamentare siç dëshirojnë, e improvizojnë në mënyrë që veç të largohet iniciativa nga emri e ta votojmë se kemi edhe shumë pika të tjera”, ka thënë Veseli në seancën e Kuvendit të Kosovës.
“E rëndësishme është të votohet nga ky Kuvend iniciativa për Tribunalin. Se kush e bën, si modelohet, si duhet, tek e fundit japim përgjigje para qytetarëve”, ka thënë ai.
Kujtojmë se LDK dhe Vetëvendosje nuk e kanë votuar iniciativën për Tribunalin Ndërkombëtar për gjenocidin për krime lufte nga Serbia në Kosovë./PERISKOPI












