Pas takimit të Parisit mund të fillojnë përgatitje për zgjedhje të jashtëzakonshme?

Krerët e institucioneve në korrik do të udhëtojnë në Paris, me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit shtetit të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian. Aty pritet të diskutohet rreth normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, por shoqëria civile dhe njohës të çështjeve politike në Kosovë, po konsiderojnë se brenda […]
Aty pritet të diskutohet rreth normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, por shoqëria civile dhe njohës të çështjeve politike në Kosovë, po konsiderojnë se brenda liderëve politik në Kosovë vazhdon të mungojë uniteti.
Njohësi i çështjeve aktuale në vend, Rasim Alija nuk pret një unitet mes liderëve të institucioneve shtetërore, sa i përket çështjes që kanë të bëjnë më procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas tij pas përfundimit të takimit në Paris, mund të fillojë një cikël i ri politik në Kosovë, që është përgatitja për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Takimi i Parisit vjen pas Samitit të Berlinit, që u mbajt më 29 prill me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës Emmanuel Macron.
Në takimin e Parisit ku do të marrin pjesë krerët e institucioneve përballa përfaqësuesve nga Beogradi, pritet të marrin pjesë edhe ekipi negociator për bisedimet me Serbinë.
Njohësi i çështjeve politike, Behlul Beqaj thotë se takimi në Paris do të duhet të kuptohet si vazhdim i përpjekjeve për t’i hapur rrugë vazhdimit të dialogut, që nënkupton heqjen e taksës dhe idesë për korrigjim të kufirit.
Sipas tij, është e rëndësishme se çfarë synimi do të mbrojnë unanimisht politikanët kosovarë atje, në kuadër të përpjekjeve për t’i hapur mundësi vazhdimit të dialogut.
Bazuar në këto nivele mosuniteti, Beqaj thotë se gjasat janë që as takimi i Parisit mos të ketë suksesin e pritur. Sipas tij, ka mjaftueshëm kohë që të shqyrtohen temat që janë diskutabile, me synim që të arrihet një unanimitet edhe brenda Kosovës, edhe ndërkombëtarëve.
Beqaj konsideron se nëse takimi i Parisit nuk do të ketë sukses, atëherë do të mund të thellohet destabilizimi, dhe do të kërkohet rrugë e re për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi.
Në Institutin Demokratik të Kosovës, vazhdojnë të bëjnë thirrje për ndërtim të një konsensusi politik, që sipas tyre është qenësor.
Jeta Krasniqi nga ky institut thotë se duhet të ndërtohet një qëndrim unik në Kosovë, të dihet se çfarë kërkon Kosova nga procesi i dialogut dhe çfarë duhet të shtyhet përpara në tavolinën e bisedimeve.












