Pallaska: Kosova i vetmi shtet në botë me “Tribunal Ndërkombëtar” të vetin

Avokati i njohur kosovar, Dastid Pallaska, ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook në lidhje me zhvillimet e fundit sa i përket rezolutës për Tribunalin Special Ndërkombëtar që do të mësyjë hetimin dhe gjykimin e krimeve të bëra nga forcat serbe. Ai thotë se “Kosova me gjasë është shteti i vetëm në […]
Avokati i njohur kosovar, Dastid Pallaska, ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook në lidhje me zhvillimet e fundit sa i përket rezolutës për Tribunalin Special Ndërkombëtar që do të mësyjë hetimin dhe gjykimin e krimeve të bëra nga forcat serbe.
Ai thotë se “Kosova me gjasë është shteti i vetëm në botë që ka “Tribunal Ndërkombëtar” të vetin” duke u tallur me karakterin e tij, përcjell Periskopi.
Pallaska i lë fajin për natyrën një-etnike të Tribunalit Ndërkombëtar që do të merret vetëm me veprimtarinë e UÇK-së, klasës politike që nuk ia doli të kushtëzojë votimin e asaj kohe me “zgjerimin e kompetencave lëndore për të përfshirë edhe krimet e luftës të kryera nga forcat serbe të sigurisë në Kosovë”.
Më tej ai e quan popullizëm të shpifur zgjedhor dhe tallje publike me viktimat e luftës nismën e ndërmarrë nga Kuvendi i Kosovës.
Ky është statusi i tij i plotë në Facebook:
Kosova me gjasë është shteti i vetëm në botë që ka “Tribunal Ndërkombëtar” të vetin.
Ky “Tribunal Ndërkombëtar” u krijua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës në formën e Dhomave të Specializuara me seli ne Hagë.
Për shkak të mungesës së iniciativës së kësaj klase politike dhe interesave personale që mbizotëruan në atë kohë, kompetenca lëndore e këtij “Tribunali Ndërkombëtar” u kufizua vetëm në veprimtarinë e UÇK-së.
Nëse Kuvendi dëshiron ta riparojë sado pak këtë padrejtësi të vetshkaktuar, e vetmja gjë që mund të bëhet është që të zgjerohet kompetenca lëndore e “Tribunalit Ndërkombëtar” ekzistues për të përfshirë edhe krimet e luftës të kryera nga forcat serbe të sigurisë në Kosovë.
Krejt çka nevojitet është një plotësim i Nenit 6 të Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili mund të shkruhet për një orë nga cilido jurist i diplomuar.
Gjithçka tjetër është popullizëm i shpifur zgjedhor dhe tallje publike me viktimat e luftës.












