Mbi 53 mijë qytetarë në kërkim të një vendi të punës, prijnë Prizreni e Prishtina

Gjetja e një vendi pune po vazhdon të jetë sfidë për qytetarët e Kosovës. Nga viti në vit kanë ndryshuar shifrat e personave të regjistruar si punëkërkues në Kosovë. Shifrat që ka nxjerrë Agjencioni i Statistikave të Kosovës në buletinin tremujor, tregojnë se mbi 10 mijë persona të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor kanë qenë […]
Gjetja e një vendi pune po vazhdon të jetë sfidë për qytetarët e Kosovës.
Nga viti në vit kanë ndryshuar shifrat e personave të regjistruar si punëkërkues në Kosovë.
Shifrat që ka nxjerrë Agjencioni i Statistikave të Kosovës në buletinin tremujor, tregojnë se mbi 10 mijë persona të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor kanë qenë duke kërkuar punë në qershor të vitit 2018.
Në gjithë territorin e Kosovës janë regjistruar si punëkërkues 53 mijë e 350 persona po në këtë muaj, shkruan Periskopi.

Ndërsa nga kjo shumë, 8 mijë e 726 persona janë të regjistruar si punëkërkues vetëm në Komunën e Prizrenit.
Afërsisht 4 mijë femra dhe 4 mijë e 753 meshkuj nga Prizreni kanë kërkuar punë në qershor të vitit 2018, sipas ASK-së.
Pas Prizrenit, vendi që ka të regjistruar më shumë punëkërkues është kryeqyteti i Kosovës – Prishtina.
Në këto statistika vërehet se në Prishtinë ka më shumë femra sesa meshkuj që regjistrohen si punëkërkues.
Nga 7 mijë e 331 persona të regjistruar, 3 mijë e 731 janë femra ndërsa 3 mijë e 600 janë meshkuj.
Në vendin e tretë është Peja me mbi 6 mijë punëkërkues, ndërsa në të katërtin është Ferizaj me 5 mijë e 403 punëkërkues. /PERISKOPI












