Lidhjet e partive kosovare me partitë evropiane: Kurti-Tsipras, Lista Serbe-Salvini, Haradinaj-Le Pen, Mustafa-Merkel

Rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian nuk prodhuan tronditjen që pritej, me Partinë Popullore Evropiane që ruajti shumicën e ulëseve me një rënie të lehtë dhe me rritjen më të madhe që e shënuan Të Gjelbrit dhe Partia Liberal-Demokrate. Në vendin tonë, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] dhe Aleanca Kosova e Re [AKR] si […]
Rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian nuk prodhuan tronditjen që pritej, me Partinë Popullore Evropiane që ruajti shumicën e ulëseve me një rënie të lehtë dhe me rritjen më të madhe që e shënuan Të Gjelbrit dhe Partia Liberal-Demokrate.
Në vendin tonë, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] dhe Aleanca Kosova e Re [AKR] si parti parlamentare janë pjesë e grupimeve të mëdha evropiane. LDK-ja që udhëhiqet nga Isa Mustafa është pjesë e Partisë Popullore Evropiane që fitoi zgjedhjet, ndërsa Aleanca Kosova e Re e Liberal-Demokratëve [ALDE] që shënoi rritjen më të madhe.

Më 30 qershor 2015, Isa Mustafa në cilësinë e kryeministrit ishte ftuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel për një vizitë në Gjermani.
Por, nga përcaktimi ideologjik, ku do të futeshin partitë parlamentare kosovare?
PDK-ja është e deklaruar si parti e qendrës së djathtë, ose e njëjtë me LDK-në dhe kancelaren gjermane Angela Merkel por për nga mënyra se si e ushtron pushtetin është më e afërt me partinë “Liri dhe Demokraci Direkte” që nuk është e përcaktuar as në boshtin e majtë e as të djathtë. Si lider shembull i kësaj partie është populisti Nigel Farage. Kjo parti fitoi në Mbretërinë e Bashkuar dhe shënoi rritje prej 6 ulëseve në PE, shkruan Periskopi.

Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar si parti e qendrës së majtë, njësoj si Partia Social-Demokrate dhe Nisma Social-Demokrate. Ajo do të bënte pjesë te Social-Demokratët Evopianë, njësoj si Pedro Sanchezi [kryeministër i Spanjës] e që shënoi një rënie prej 44 ulëseve në Parlamentin Evropian.
Sidoqoftë, nuk përjashtohet mundësia që partia e Albin Kurtit të lidhej me Të Majtën e Gjelbër Nordike [GUENGL], ku bën pjesë Alexis Tsipras i Greqisë dhe partia Podemos e Spanjës. Por edhe kjo parti pësoi rënie prej 14 ulëseve.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK] që drejtohet nga kryeministri Ramush Haradinaj është e deklaruar po ashtu si e qendrës së djathtë por populizmi i shtuar dhe retorika nacionaliste e së cilës e lidh me Salvinin ose Marine Le Penin.

Lista Serbe ndërkohë është parti nacionaliste e populiste dhe lidhja e saj do të ishte me partitë e ekstremit të djathtë si ajo që udhëhiqet nga zëvendës-kryeministri italian Matteo Salvini dhe i fitoi 58 ulëse në PE. /Periskopi












