Kush nga opozita thotë që Qeverisë mund t’ia ‘thyejnë këmbët’ edhe me votat e Listës Serbe

Opozita e Kosovës këto ditë ka ndezur motorët për ta larguar Ramush Haradinajn nga posti i Kryeministrit. Me mocion mosbesimi, dy partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, të përkrahur edhe nga Partia SocialDemokrate duan t’ia ‘thyejnë këmbët’ kësaj Qeverie. Ndonëse Lista Serbe ua ka ofruar votat e tyre, opozita nuk i pranon. Deputetja […]
Kusari-Lila mendon se Qeveria Haradinaj ka dështuar, ndërsa mirëpret mocionin e mosbesimit, të inicuar nga LDK dhe VV.
‘’Ne do të jemi të kordinuar me dy partitë e mëdha të opozitës, LDK’në dhe Vetëvendosjen. Në momentin kur do të jenë gati të sjellin mocionin, gjithsesi se do ta mbështesim.. Dëmi që cdo ditë po i bëhet Kosovës është shumë i madh me vazhdimin e kësaj keqqeverisje. Nivele të ndryshme kanë degraduar të proceseve. Cdo ditë kemi skandale dhe po vazhdohet prap me të njëjtën tempo’’, ka thënë Kusari-Lila për Periskopin.
Kryetarja e Alternativës beson se ka deputetë në pozitë që do të reflektonin dhe do t’i bënin numrat për rrëzimin e Qeverisë.
‘’ Unë besoj që do të ketë reflektim dhe ka deputetë seriozë edhe të pozitës të cilët do të mund ta kompletonin numrin prej 61 deputetëve që do ta votojnë rrëzimin e Qeverisë. Në rast tjetër, besoj që është një diskutim të cilin duhet ta sjellë opozita, në vecanti partitë kryesore opozitare. Prandaj kjo është një dilemë e cila duhet të zgjidhet por ma merr mendja që duhet të ketë deputetë nga pozita të cilët e shohin se kjo keqqeverisje po i sjell shumë më shumë dëm se sa dobi Kosovës dhe për të vendosur në shkuarjen e zgjedhjeve të reja’’, thekson Kusari-Lila.
Kur jemi tek ofrimi i votave nga Lista, Serbe, Kusari thotë se ashtu siç kjo Qeveri ka ardhë prej tyre, ashtu edhe mund të shkojë.
’’ Kjo Qeveri është formuar me votat e Listës Serbe, prandaj edhe nëse bie prej tyre, ose nëse do të jenë disa prej nënshkruesve, mundet edhe: me votat e tyre ka ardh me votat e tyre mundet me shku. Por procesi politik është karakterizuar asilloji me qëndrime shumë destruktive të Listës Serbe ndaj Prishtinës dhe prandaj kjo mund të jetë dilemma morale për t’i përdorur votat e tyre për rrëzimin e Qeverisë. Kjo është problematike, për faktin që edhe ata në mënyrën e vetë po e keqpërdorin edhe besimin dhe buzhetin e Kosovës, përfshirë këtu zgjedhjet në veri dhe qëndrimet e tyre që i kanë pasë lidhur me mbajtjen e posteve’’, ka thënë deputetja Kusari-Lila.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dy javë që e ka marrë me seriozitet çështjen e mocionit, ndonëse një ide e tillë ishte inicuar shumë muaj më parë. Atë po e mbështet Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia SocialDemokrate. Madje Isa Mustafa javën e kaluar kishte ftuar në takime të ndara Albin Kurtin dhe Shpend Ahmetin, për t’u dakorduar rreth hapave të mëtutejmë. Me kreun e PSD’së pritet që të zhvillojë takim gjatë kësaj jave.
Në anën tjetër, edhe deputetët e LDK’së sot me kreun e tyre, Isa Mustafën, u dakorduan që Qeveria Haradinaj të rrëzohet sa më shpejt.
Lista Serbe para disa ditësh doli me qëndrimin se janë të gatshëm të japin votat e tyre për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka siguruar mbështetjen e Listës Serbe.
Ai pas takimit mes përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq, tha se Lista Serbe nuk mbështet qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj dhe se nuk do të kthehet në institucionet e Kosovës.
“Lista Serbe nuk do të kthehet në institucionet e Kosovës dhe nuk mbështet qeverinë në Prishtinë, por është e gatshme të mbështes secilën parti politike, që organizon iniciativa për rrëzimin e qeverisë së Ramush Haradinajt”, ka thënë Gjuriq.
Por, opozita kosovare nuk i do votat e tyre. Opozitarët thonë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja dhe se bashkëpunimi me Listën Serbe do të ishte i pakuptimtë, për shkak të qëndrimeve joserioze të tyre./PERISKOPI/












