Këshilltari i Haradinajt mbron Bechtel Enka’n për 53 milionët: Po ua gjeni të metat atyre që punojnë

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Gazmend Abrashi, pas përurimit të autostradës “Arbën Xhaferi” ka komentuar edhe pagesën prej 53 milionë euro dhënë Bechtel-Enkës nga Qeveria e Kosovës. Ai këtë e arsyetoi duke thënë se ata që punojnë edhe kritikohen. “Është rregull e pashkruar të kritikohen vetëm ata që punojnë. Por nëse ne e shohim këtë […]
Ai këtë e arsyetoi duke thënë se ata që punojnë edhe kritikohen.
“Është rregull e pashkruar të kritikohen vetëm ata që punojnë. Por nëse ne e shohim këtë kryevepër sot dhe e shohim produktin final, për të cilin s’ka shqiptar që s’është krenar, ne gjithmonë mundemi m’i gjetë rrebe këtij projekti”.
“Njerëzit duhet ta kuptojnë se projektet e rrugës nuk nënkuptojnë vetëm aspektin e investimit në rrugë. Ka shumë pare dhe kapital që ngrehin edhe proceset tjera. Para vendosjes se ku do të bëhet traseja duhet të bëhet shpronësimi dhe në fund dalin që shumat janë marramendëse”.
“Zaev sot duke e promovuar rrugën që është 14 km2 dhe thotë se do të kushtojë 120 milionë euro. Nëse e shihni parametrat që ai i tregoi dhe e nxjerrim me një paralele me atë që e pamë sot atëherë nuk duhet me qenë shumë i mençur të vijë në një përfundim logjik që ky projekt kapital përkundër shumë kundërthënieve dhe antagonizmave mund të them se e kemi dorëzuar një kryevepër”.
“Edhe Bechteli ka pasur vonesa, por jam i bindur që do të gjejmë një kompromis me kompaninë në aspektin e mirësjelljes e asaj që Bechteli na ka dhënë një kryevepër edhe pse e kemi paguar. Ajo është kompani serioze”.
Abrashi në Info Magazine të Klan Kosovës për akuzat e 53 milionë eurove nga Qeveria e kaluar u përgjigj se kjo është meritë e të dy qeverive.
“Qeveria paraprake e akuzon të tanishmen gjithmonë, por kjo kryevepër është meritë e të dy qeverive. Nuk është mirë që dikush t’i gjejë rrebe këtij projekti. Nëse dikush e ka shkelë ligjin ekziston Prokuroria dhe shteti, të cilët duhet të merren me këtë Unë nuk kisha dashur të merrem me manipulime”.
“Besoj se çdo kush është i pastër derisa të vërtetohet e kundërta. Sot është bërë trend të akuzohet në media. Nëse ka ndonjë keqpërdorim është prokuroria dhe janë institucionet kompetene”.
Abrashi shtoi se me këtë projekt i është dhënë mesazh Ballkanit Perëndimor dhe Europës se Kosova është shtet serioz dhe përgjegjës.












