Isufi – opozitës: Nuk e keni seriozisht rrëzimin e Qeverisë, as vetë s’jeni gati për zgjedhje

Partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje po kërkojnë votat e gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj. Në veçanti, opozita po i do votat e deputetëve të koalicionit PAN, duke mos përjashtuar mundësinë që edhe Lista Serbe të kontribuojë në këtë aspekt. Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), edhe sot […]
Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), edhe sot tha se nuk do të kërkojë nënshkrimet e Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë, por as nuk do të përzihen në vullnetin e deputetëve sa i përket përkrahjes së mocionit, pavarësisht etnisë apo grupit parlamentar që i përkasin.
Sipas tyre, synim kanë që të marrin përkrahjen e deputetëve të partive në pushtet.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ahmet Isufi në një prononcim për Periskopin ka thënë se nuk sheh seriozitet të opozitës në këtë aspekt, për shkak të problemeve të tyre të brendshme.
”Është e drejtë legjitime e opozitës që të kërkojnë votën nga deputetët dhe ta bëjnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Megjithatë ne konsiderojmë se ata ende as vetë nuk janë të përgatitur të shkojnë në zgjedhje për shkak të problemeve që kanë qoftë nga zgjedhjet e brendshme, qoftë nga ndarjet që kanë qenë në parti të ndryshme. Prandaj konsiderojmë se është retorikë e vazhdueshme por nuk e kanë seriozisht’’, ka thënë Ahmeti për Periskopin.
Deputeti Nait Hasani lidhur me këtë nismë të opozitës ka treguar për Periskopin se me çfarë kushti do të jepte votën e tij për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
‘’Po a vjen ndonjë Qeveri më e mirë? Nëse vjen një Qeveri më e mirë. Po. E veç për me i ndërru kryeministrat, jo’’, ka thënë Hasani për Periskopin.
Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani sot tha se do t’i rikonfirmojnë 58 nënshkrimet e mbledhura deri tani, duke shtuar se këto janë vetëm vota të opozitës.
Ajo tha se bashkëpunimin për rrëzimin e qeverisë e kërkojnë tek deputetët që janë pjesë e partive në pushtet.
“Ne nuk do t’i kërkojmë nënshkrimet e Listës Serbe, mirëpo ta keni të qartë një gjë, kur hyjnë në Kuvend dhe vendoset mocioni në votim, ne nuk mund ta kontrollojmë votën e deputetëve individualë, ne nuk i përzihemi vullnetit të deputetit, pavarësisht etnisë që i takon, lidhur me mocionin që ne e propozojmë….Target, në aspektin pozitiv, i yni janë deputetët e pushtetit, të partive në pushtet të cilat janë duke shprehur mospajtime me mënyrën se si po qeveriset me Kosovën. Nëse ata i kanë seriozisht ato vërejtje, ndoshta nuk do të hezitojnë tre ose katër prej tyre të japin nënshkrimet që t’i kemi 61”, tha Osmani.
Ajo tha se të gjithë ata që sot ankohen në votat e Listës Serbe kanë marrë pjesë në mocionin kundër qeverisë së LDK-në në vitin 2017.
Osmani thekson se janë në fazë të hershme me fol për votën meqë ende janë duke mbledhë nënshkrimet.
Në anën tjetër, edhe Lista Serbe para disa ditësh doli me qëndrimin se janë të gatshëm të japin votat e tyre për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj./PERISKOPI/












