Deda për gruan rome: Turp, të ligë janë ata që ushtrojnë dhunë në më të dobëtin

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka reaguar pas sulmit të dytë që raportohet se i është bërë gruas rome, kësaj radhe në Ferizaj, transmeton Periskopi. ‘’Turma që e rrah një grua Rome vetëm se është e tjetër nacionaliteti dhe ka ngjyrë tjetër është racizëm dhe fashizëm. Të ligë janë ata që ushtrojnë dhunë në më […]
‘’Turma që e rrah një grua Rome vetëm se është e tjetër nacionaliteti dhe ka ngjyrë tjetër është racizëm dhe fashizëm.
Të ligë janë ata që ushtrojnë dhunë në më të dobëtin se vetja e tyre. Turp!
Beteja më e madhe në këtë shoqëri është beteja me racizmin e fashizmin vetanak, ka shkruar Deda në Facebook.
Zyrtari për Informim, Mehmet Ali Hajdini ka dhënë detaje për Periskopin rreth raportimit se një grua rome është kanosur edhe sot në rrugë.
Policia thotë se nuk dihet nëse ajo është sulmuar dhe se nuk ka shenja në trup. Tutje Hajdini tregon se nuk është hasur asnjë i dyshuar në vendin e ngjarjes.
‘’Një qytetar ka thirrë në telefon, 192 dhe ka raportuar që e ka parë gruan rome në qytet. Policia i është përgjigj menjëherë dhe ka dalë në vendin e ngjarjes. E ka takuar këtë gruan në shesh, por nuk është takuar duke u sulmuar prej dikujt. E kemi shoqëruar në stacionin policor, mirëpo kjo gruaja deri në këto momente nuk ka folë asgjë. Nuk shihen shenja se është sulmuar nga pamjet jashtë. Tash i kemi dërguar edhe hetuesit e stacionit policor në sheshin e Ferizajt për të marrë informacione nëse gruaja në fjalë është sulmuar, pasi ende nuk dihet diçka e tillë’’.
Hajdini thotë se kanë urdhëresë nga lart që në momentin që gruaja rome shihet në rrugë, ta shoqërojnë në stacionin policor dhe ta njoftojnë Qendrën për Punë Sociale.
‘’Ne nuk kemi informacion nëse është sulmuar ose nga kush është sulmuar. Policia s’ka takuar njerëz tjerë në vendin e ngjarjes. Ne kemi urdhër që në momentin që shihet gruaja në rrugë, me sjell në stacionin policor dhe me njoftu Qendrën për Punë Sociale për veprime të mëtutjeshme’’., tha zyrtari i Policisë
Gruaja në fjalë edhe para disa ditësh ishte sulmuar në qendër të Lipjanit. Policia e Kosovës kishte njoftuar se e kishte vënë nën mbrojtje, megjithatë ajo sërish po kërcënohet nga njerëz kalimtarë./PERISKOPI/












