Çka bëri vaki gjatë kësaj jave në Kosovë?

Njësia kohore e quajtur ‘javë’ nisi të hënën siç ndodh zakonisht. “Java e re, nafaka e re!” – ishte fjalia që u pluskua në sheshin Nëna Terezë nga qytetarët e një vendi që po i mbyllte lojërat e nafakës [fatit]. Kazinot raportohet se kanë ikur e janë vendosur në Bllacë, aty ku kishin ikur e […]
Kazinot raportohet se kanë ikur e janë vendosur në Bllacë, aty ku kishin ikur e kishin gjetur strehë edhe qytetarët e Kosovës në luftën e fundit. Po shihnim historinë derisa përsëriste veten në një stil komik.
Sidoqoftë, gjendja shpirtërore e qytetarëve të vendit ishte mjaft shqetësuese, ose ndoshta post-traumatike, dhe për ta konstatuar këtë nuk duhet kurrfarë psikografie e thellë. Flora Brovina, deputetja ndoshta më e respektuar e PDK-së, katër ditë më herët kishte paraqitur një imazh për ta ilustruar aktin e përdhunimit seksual të forcave serbe ndaj grave shqiptare. Fotografia doli se ishte pjesë e një videoje pornografike.
Por, siç mund ta vëreni më lart, e kemi nënvijëzuar shënjuesin e kohës në referencë me 20 majin. Domethënë, fotoskandali ndodhi katër ditë më herët në një vend ku çdo skandal, sado i madh qoftë, sado tronditës, mbahet mend vetëm tri ditë. Dita e katërt është dita e nafakës së re. E gjitha që mbetet është një imazh i rravguar për të cilin nuk e din se çka të mendosh.
Ta zëmë, kush i mban mend gjithë ato teke të kryeministrit Haradinaj që prodhuan skandale të njëpasnjëshme? Pak-kush. Ose, kush e mban mend ‘rrëshqitjen’ e Abelard Tahirit kur deklaroi që “do të punojmë për forcimin e sundimit të… krimit të organizuar dhe korrupsionit”? Pak-kush.

Dhe pikërisht të hënën, në një ditë me mot të luhatshëm, u mbajt vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës që mësynte miratimin e rezolutës për Tribunalin Special Ndërkombëtar që do të hetonte dhe gjykonte krimet e forcave serbe gjatë luftës së fundit. Dhe kjo përsëritje e aktit e prishi amnezinë kolektive dhe na e kujtoi sërish pornografinë. Bëri që të riniste humori, kukamat dhe sharjet. Edhe partitë opozitare vendosën t’i ndërtonin memorial këtij skandali, por nuk po iu kujtohej qëndrimi që kishin mbajtur katër ditë më herët. Periskopi i kushtoi një editorial këtij zhvillimi. Kësisoj, bë një tallje e përbashkët me viktimat e luftës dhe familjarët e tyre, disa prej të cilëve po rrinin e po këqyrnin kuvendin nga pjesa e vëzhguesve.
Kjo ishte ngjarja e parë e javës që i vendosi vulën e përsëritshmërisë edhe ngjarjeve tjera.
Përplasja e ashpër mes presidentin aktual të Kosovës Hashim Thaçit dhe ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berishës, ishte ngjarja e dytë domethënëse. Ajo u shtri për disa ditë, nga e enjtja në të shtunën e ndoshta do të vazhdojë edhe nesër. I pari i tha të dytit argat ndërsa edhe i dyti i tha të parit argat [i Serbisë, Millosheviqit e më-the-e-të-thashë]. Fjalori i gjuhës shqipe i jep kësaj fjale kuptimin e punëtorëve të krahut në bujqësi e ndërtimtari. Domethënë, duke e përdorur në formë pezhorative, dy presidentët po shanin e fyenin një prej shtresave edhe ashtu më të shtypura të shoqërisë. Pse për shembull nuk shahen duke i thënë njëri-tjetrit “shërbyes i Serbisë”? Ndoshta sepse fjala ‘shërbyes’ është disi më e dinjitetshme.

Marrëdhëniet e mira që kishin dikur Thaçi e Berisha u kurorëzuan me këtë ‘përqafim plot dashuri’ kur po hapej Tuneli i Kalimashit
Dhe në fund kishim skandalin e fajdeve. Një video-incizim i vitit të largët 2013 u aktualizua së fundi nga Kohavizioni dhe e bëri namin. U arrestuan disa njerëz që dyshohet se u morën me fajde e mashtrim. Por, gjithë kësaj i bëri jehonë përmendja e emrit të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.
“Kadri Veselit ia kam dhanë 200 mijë Euro!” shihet e dëgjohet një burrë i moçëm e i thinjur derisa i thotë një tjetri. Po i njëjti me një të folur qaramane deklaroi se në fakt dikush tjetër e kishte përdorur emrin e Kadri Veselit për ta mashtruar atë vetë.
Nga e gjithë kjo misteri më i madh është mos-publikimi i deritashëm i këtyre provave duke qenë se kishin qenë në dispozicion të Prokurisë Speciale. Është e mundur që një gjë e tillë të jetë pjesë e një skenari tjetër politik dhe jo tragu i rrugës për drejtësi. Veseli u deklarua se do të jepte dorëheqje nëse do të evidentohej përfshirja e tij në atë rast.

Lajmi i fundit i rëndësishëm i javës është bllokimi i trafikut në magjistralen Fushë Kosovë-Prishtinë dhe anasjelltas. Taksi 1-shat ilegalë ankoheshin se për të shkuar prej Bill Clintonit e deri te Qafa iu kishte një orë kohë. E një orë është goxha shumë në një rrugë që zakonisht e përshkon për 5 minuta. Çka kishte ndodhur? Epo, ishte dyshuar për dy bomba te Prokuroria Speciale dhe te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, mirëpo s’u gjet asgjë.
Na mbetet të themi për javën tjetër “Java e ra, nafaka e re!”












