Avokati i Popullit për Periskopin: Nuk po arrijmë të komunikojmë me gruan rome, ka mungesë përkthimi

Gruaja rome , identiteti i së cilës nuk është bërë i njohur, sot për të dytën herë është sulmuar fizikisht nga kalimtarët në rrugë. Ajo sot u gjend në këtë situatë përgjatë kalimit në sheshin kryesor të Ferizajt. Policia kishte shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e kishte shoqëruar viktimën drejt stacionit policor. Ndërsa […]
Gruaja rome po vazhdon të qëndrojë në Stacionin e Policisë Rajonale të Ferizajt, ndërkohë që krah saj po qëndrojnë edhe zyrtarë nga Avokati i Popullit dhe nga Qendra për Mirëqenie Sociale, ku edhe ishte strehuar para disa ditësh.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari në një pronocim për Periskopin ka thënë se janë në fazën e hetimit të rastit, ndërsa situatën e quan mjaft të ndjeshme.
‘’Për momentin jemi në fazën e hetimit të rastit. Përfaqësues tonë janë në Ferizaj dhe po merren me çështjen për momentin. Është situatë gogja e ndjeshme por fokusi jonë kryesor është në bashkëveprimin me Policinë, Qendrën për Punë Sociale dhe gjykatat, për hapat që duhet ndërmarrë dhe krejt këto në pajtim me veprimet ligjore që janë në fuqi’’, ka thënë Jashari për Periskopin.
Tutje ai shpalos një problem me të cilin po ballafaqohen në raport me viktimën. Thotë se nuk po arrijnë të komunikojnë me të dhe se kanë mungesë përkthimi në kohë reale në stacionin ku edhe gjendet gruaja rome.
”Gruaja rome, deri më tani ka refuzuar të kontaktojë me autoritetet përgjegjëse. Është problem i komunikimit për shkak se flet vetëm në gjuhën gjermane dhe në gjuhën e saj amtare. Ka edhe mungesë të përkthimeve në kohë reale në stacion. Përveç që janë edhe disa prej proceseve që duket se janë problematike në gjithë këtë situatë që duket të jetë e rëndë’’, shton Jashari.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e partisë 6+, Albert Kinolli sot në një prononcim për Periskopin ka folur për gruan rome e cila gjatë kësaj jave dy herë u sulmua për shkak të pretendimeve se ajo kidnapon fëmijë.
Kinolli tha se bashkë me institucionet e Kosovës, janë duke u munduar të gjejnë një zgjidhje për këtë grua, shkruan Periskopi.
“Rasti ka ndodhur para dy ditësh në Lipjan, kur disa të mitur dhe adoleshentë gjimnazistë e kanë rrahur këtë grua rome, të shtyrë nga disa media të shkruara, kinse kjo grua është kindapuese e fëmijëve dhe në atë kontekst kanë reaguar disa qytetar padrejtësisht, të cilët duke mos qenë drejt të informuar e kanë rrahur” tha Kinolli për Periskopin.
“Kam lajmëruar Policinë e Kosovës, kam kontaktuar para dy ditëve me Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Shalaj dhe ai në dakordim me policinë rajonale të Lipjanit në dakordim me institucionet e Kosovës, ata para dy ditësh e kanë strehuar këtë grua në një strehimore në Lipjan, pas disa orësh, ajo me vetëdëshirë e ka lëshuar atë strehimore kështu që sot ajo u gjend në qendër të Ferizajit, ku nga një person i papërgjegjshëm, në mes të qytetit është rrahur brutalisht, ku policia e ka strehuar në stacionin policor, ku momentalisht viktima gjindet. Për momentin jam rrugës, ta shiqoj dhe të njoftohem nga vendi i ngjarjes se si është situata me këtë viktimë dhe në dakordim me institucionet e Republikës së Kosovës, të shohim se cila do të jetë zgjidhja më e mirë për këtë grua rome, e cila padrejtësisht në mënyrë brutale dy herë është rrahur”, tha Kinolli.
Zyrtari i Policisë Rajonale të Ferizajt, Mehmetali Hajdini sot pasdite ka konfirmuar për Periskopin arrestimin e të mituarit i cili u pa duke e sulmuar brutalisht gruan në fjalë.
‘Sulmuesi është identifikuar dhe është arrestuar. Fillimisht kemi qenë në vendbanimin e tij por personi i dyshimtë nuk është gjendur në shtëpi’, ka thënë Hajdini.
Kjo është hera e dytë që personi i njëjtë sulmohet fizikisht. Para dy ditësh, rasti kishte ndodhur në Lipjan, ku Policia kishte identifikuar si të dyshuar një 17-vjeçar, e më pas e kishte liruar në procedurë të rregullt.
Përveç kësaj, gruaja rome është linçuar publikisht, ku si shkak pati reagime nga politikanë, shoqëria civile dhe organizata të ndryshme joqeveritare./PERISKOPI/












