A do të plotësohen kërkesat e Shoqatës së grave në luftë të kancerit të gjirit?

Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është njëra ndër shërbimet më të reja të hapura në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Kjo klinikë ofron shërbime shëndetësore të nivelit terciar për të gjithë të prekurit nga sëmundjet malinje në Kosovë. Por, një shërbim i tillë kërkohet të jepet edhe […]
Kjo klinikë ofron shërbime shëndetësore të nivelit terciar për të gjithë të prekurit nga sëmundjet malinje në Kosovë.
Por, një shërbim i tillë kërkohet të jepet edhe në Spitalin e Pejës.
Mungesa e shërbimeve onkologjike në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, ka nxitur Shoqatën e grave në luftë të kancerit të gjirit në rrafsh të Dukagjinit të mbledhin nënshkrime në mënyrë që të bëjnë peticion për realizimin e disa kërkesave.
Të martën kjo shoqatë ka dorëzuar peticionin me 12 mijë e 649 nënshkrime në Kuvendin e Kosovës, me anë të të cilit kanë kërkuar realizmin e kërkesave të tyre, shkruan Periskopi.
Kryetarja e Shoqatës së grave në luftë kundër kancerit në rrafsh të Dukagjinit, Naxhije Uka- Skënderi, tha se kërkesë kryesore e kësaj shoqate drejtuar Kuvendit dhe Ministrisë së Shëndetësisë është hapja e qendrës onkologjike në Pejë.
“Kërkesa e parë e shoqatës sonë është të hapet një degë e onkologjisë në Pejë”, tha Uka-Skënderi.
Në lidhje me këtë kërkesë, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Periskopin se do të japin përkrahje për të fuqizuar shërbimet onkologjike.
“Meqë shërbimet onkologjike janë të organizuara në nivel tretësor, MSH do të jap mbështetje për fuqizimin e këtyre shërbimeve, ndërsa Bordi i SHSKUK-së, është ai që propozon ose merr vendime për shërbimet që janë në kuadër të këtij institucioni varëisht prej zhvillimit të tyre. Spitali i Pejës është pjesë e SHSKUK-së, sipas Ligjit për Shëndëtesi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Kërkesa tjetër e shoqatës ishte që t’i vizitoj të paktën një herë në javë një reumatolog dhe një onkolog në Pejë.
Gjithashtu kërkonin që të lirohen nga pagesat për të gjitha analizat së paku një herë në vit për të gjitha llojet e kancereve në mënyrë të parandalimit të kësaj sëmundje e të tjera.
Sa i përket reumatologut nga Ministria thanë se Spitali i Pejës do të adresoj këtë çështje, ndërsa mungesa e shërbimit të onkologjisë në këtë spital e cila është e organizuar në nivel terciar si shërbim në Kosovë, e pamundëson vizitën e një onkologu në këtë spital.
Sa i përket lirmit nga pagesat, nga Ministria e Shëndetësisë thanë se kjo është e rregulluar me udhëzimin administrativ.
“Me udhëzimin administrativ për bashkëpagesat për shërbime shëndetësore, nga pagesa e këtyre shërbimeve janë të liruar disa kategori si të sëmurat nga diabeti, ata nga sëmundjet malinje dhe sëmundje të tjera kronike, invalidët e luftës, studentët, nxënësit, shtatzënat etj. Gjithashtu, edhe kategorite qe jane te perfshira ne skemat sociale te Ministrise se Punes dhe Mireqeinies Sociale”, thuhen në përgjigjen e Ministrisë. /Periskopi












