Punoi 9 vite në shtëpi shkolla, i pakënaqur me pensionet për mësimdhënësit e viteve 90

Me miratimin e Ligjit për Statusin e punëtorëve të Arsimit të viteve 90’, mësimdhënësit do të marrin një pension prej 19 deri në 95 euro, varësisht sa kohë kanë punuar gjatë atyre viteve. Por me këtë vendim nuk është ndarë shumë i kënaqur mësimdhënësi i viteve 90’, Sahit Elshani. Ai punoi afro nëntë vite si […]
Por me këtë vendim nuk është ndarë shumë i kënaqur mësimdhënësi i viteve 90’, Sahit Elshani.
Ai punoi afro nëntë vite si zëvendësdrejtor i shkollës dhe mësimdhënës i Biologjisë në shtëpinë shkollë të Mehmet Aliu, që shërbeu si hapësirë për gjimnazin “Sami Frashëri”.
E pas nëntë viteve punë në kushte lufte, sipas këtij ligji, ai do të marrë një pension mujor afro 95 euro.
Në një prononcim për Periskopin, Elshani ka thënë se deputetët kanë bërë mirë që miratuan këtë ligj, por sipas tij, mësimdhënësve do të duhej t’iu ndaheshin pensione më të larta, sepse, siç thotë ai, mësimdhënësit rrezikuan edhe jetën duke punuar në kushte lufte.
“Jo, vërtetë nuk jam i kënaqur. I kam dëgjuar debatet edhe komisioni parlamentar për arsim që kanë qenë më herët, me të vërtetë ishin disa vendime prej atyre që nuk e njohin arsimin, nuk e kanë njohur atë lëmi edhe nuk janë ballafaquar me ato probleme të viteve 90’ta në arsim. Ata kanë mundur të flasin si t’ua marrë mendja, por nuk është ashtu”, thotë Elshani për Periskopin.
Sipas tij, në fushën e arsimit është rrezikuar më së shumti, duke përfshirë këtu edhe prindërit e fëmijët, por edhe pronarët që lëshuan shtëpitë e tyre si shkolla.
Elshani thotë se pavarësisht trazirave, në atë kohë procesi mësimor vazhdonte të mbahej, edhe atë me dokumentacione.
“Arsimi ka qenë segmenti i vetëm ku është punuar me vula e me formularë të Kosovës. Ne i kemi pasë vazhdimisht nëpër duar ato dëftesa, diploma, vula, segmentet e tjera nuk kanë punuar me dokumente. Prandaj, nëse dikush e meriton më së shumti prej këtyre, më së shumti e kanë merituar mësimdhënësit”, thotë Elshani.
Që mësimdhënësit meritojnë më shumë, ka pohuar edhe ministri i Arsimit, Shqyiri Bytyqi. Sipas tij, kjo është më e pakta që është bërë për këta mësimdhënës.
“Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për mësimdhënësit tanë, të cilët janë heronjtë e atyre viteve më të vështira për Kosovën. Do të bëjmë edhe shumë më shumë, sepse mësimdhënësit janë, po ashtu, heronjtë e të sotmes dhe të ardhmes tonë”, ka thënë Bytyqi, me rastin e miratimit të këtij ligji./PERISKOPI/













