Instituti i Shëndetësisë iu bën apel qytetarëve për kujdes nga rriqërat

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike me ethet hemorragjike krime-kongo në të gjitha vatrat e infeksionit dhe bashkë me mjekët dhe punëtorët shëndetësorë të QKMF-ve në Malishevë, Rahovec, Klinë, Suharekë, Gjakovë edhe sivjet do të vazhdojnë mbikëqyrjen dhe hulumtimin epidemiologjik të të gjitha vatrave, përfshirë këtu edhe […]
IKSHP bën me dije se tashmë është në gjendje gatishmërie për të ndërmarrë masat profilaktike dhe kundërepidemike për të parandaluar epideminë e EHCC të planifikuara me kohë dhe të përfshira në Planin Operacional për parandalimin dhe luftimin e Etheve hemorragjike krime kongo në Kosovë.
Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet apel që edhe më tutje të vazhdojnë të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë pasi që tashmë temperaturat kanë filluar të ngrihen dhe rriqrat kanë filluar të dalin në sipërfaqe të tokës.
Laboratorët e Institutit Kombëtar janë të përgatitura dhe të gatshme për diagnostikimin e të gjitha rasteve të dyshimta në EHKK, ndërkohë që IKSHP ka dalë me këshilla për ruajtjen e qytetarëve nga rriqrat.
- Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre
- Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë
- Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën)
- Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër
- Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre
- Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt
- Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe)
- Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi
- Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë
IKSHP iu bën thirrje qytetarëve të punojnë në faktorët e përmirësimit të ekosistemit që nënkupton:
- Të punohen të gjitha tokat e punueshme
- Të kositen të gjitha livadhet me kohë dhe nga disa herë
- Të pastrohen kopshtet dhe pronat për rreth shtëpive
- Të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve
- Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë ku kurrsesi nuk guxohet të lihen këmbët e zbathura
- Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pakositura dhe në mbrëmje të kontrollohet prania e rriqrave në tërë trupin.












