Hoti për Periskopin tregon a do shkojnë nesër në seancë: Ligji e Platforma janë dokumente absurde

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që seanca në të cilën do të hidhet në votim Ligji dhe Platforma për Dialogun do të mbahet nesër duke filluar nga ora 09:00. Kjo Platformë dhe ky Ligj kundërshtohet fuqishëm nga dy partitë opozitare, LDK e Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti për […]
Me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, seanca për Ligjin dhe Platformën për Dialogun është caktuar për nesër, duke filluar nga ora 09:00.
Këtë e bëri të ditur kryeparlamentari Kadri Veseli në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë.
Aty ai bëri të ditur se pas përfundimit të seancës për Platformën për dialog, do të vazhdojë seanca e rregullt duke filluar nga ora 10:00.
Ligji dhe Platforma për Dialog është kundërshtuar vazhdimisht nga dy partitë opozitare, LDK e Vetëvendosje.
Andaj, Periskopi ka kontaktuar me shefin e Deputetëve të LDK’së, Avdullah Hotin për të parë nëse ata do të marrin pjesë në seancë dhe si do të veprojnë aty.
Në një deklaratë dhënë Periskopit, Hoti ka thënë se në seancën e nesërme për Dialogun ata do të marrin pjesë dhe do ta prezantojnë qëndrimin e tyre kundër këtij Ligji dhe kësaj Platforme.
“Do të marrim pjesë në këtë seancë dhe do të prezantojmë qëndrimin tonë se ky ligj dhe kjo platformë janë dokumentet më absurde për dialogun”, ka thënë Hoti për Periskopin.
I pyetur nëse do të ndërmarrin ndonjë masë për të kundërshtuar votimin e këtij Ligji, Hoti është përgjigjur: “Do t’i ndërmarrim të gjitha masat demokratike dhe kushtetuese, qysh i kemi ndërmarrë deri më tani duke pamundësuar kuorum”.
Derisa thotë se nuk e di nëse do të kalojë ky ligj, Hoti thotë se edhe nesër do të veprojnë si çdo herë tjetër: “Qëndrojmë në Kuvend për çdo pikë dhe shprehim qëndrimin tonë”.
Edhe komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës i ka dhënë dritë jeshile Platformës për Dialogun.
6 anëtarët e partive në pushtet votuan Platformën për dialogun./PERISKOPI












