Dështon seanca e LDK’së për shpenzimet e Qeverisë Haradinaj

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën parashihej që të diskutohej për shpenzimet e Qeverisë Haradinaj është shtyrë për një datë të pacaktuar – raporton Periskopi. Seanca është shtyrë me kërkesë të propozuesve për shkak të numrit të vogël të deputetëve në sallë, të cilët kundërshtonin mbajtjes e kësaj seance për […]
Seanca është shtyrë me kërkesë të propozuesve për shkak të numrit të vogël të deputetëve në sallë, të cilët kundërshtonin mbajtjes e kësaj seance për shkak të Epopesë së UÇK’së.
Propozuesi i seancës, deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për 12 mars.
Pavarësisht Epopesë së UÇK’së, Selmanaj ka thënë se do të ishte nder i madh për dëshmorët nëse Kuvendi do të debatonte për ‘shpenzimin e parasë publike’.
“Bindja jonë e thellë është që në këto ngjarje po keqpërdoren dhe po manipulohen paratë e Kosovës. Nderi më i madh është që të diskutojmë për këto. Nëse dikur është dëshmu që këta njerëz kanë vjedh edhe varrezat e dëshmorëve, tash po dëshmohen që kanë vjedh edhe në letrat e tualetit”, ka thënë ai, përcjell Periskopi.
Kundër kësaj seance, është shprehur edhe deputeti i Nismës, Milaim Zeka.
Zeka ka thënë se edhe ai është pro diskutimin në Kuvend të të gjitha keqpërdorimeve të parasë publike, por jo në data historike, si kjo sot.
“Unë kam ardhur në seancë vetëm për ta shprehur protestën publike dhe zhgënjimin e madh për propozuesit e kësaj seance. Sepse nuk thirret seancë e jashtëzakonshme për epopenë e lavdishme. Dhe mënyra për ta arsyetuar këtë gabim trashanik është e pavend. Sot është e martë. Dita e martë është e zezë. Na e kemi dit që Epopeja mbahet me 5 mars. Jam pro thirrjes së seancave për keqpërdorim të parasë publike, por sot kemi ditë të shenjtë, andaj jam i zhgënjyer dhe i shokuar pse e keni thirr këtë seancë”, ka thënë Zeka.
Pas këtyre deklarimeve dhe konsultave me nënkryetarin Kujtim Gashin, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli mori vendim që seanca e sotme të ndërpritet dhe mbajtja e saj të caktohet më pas nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës.
Periskopi gjatë ditës së sotme raportoi se deputetët e PDK’së nuk do të marrin pjesë në këtë seancë për shkak se kishin plane të shkonin në Prekaz për homazhe.
Sot ishte paraparë që nga ora 10:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të diskutohet për vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.
Caktimi i kësaj seance më 5 mars, ishte kritikuar nga deputetët e pozitës, të cilët kishin kërkuar seancë solemne për Epopenë e UÇK’së.
Deputeti i PDK’së, Ilmi Reçica ka thënë për Periskopin sot se grupi i tyre parlamentar ka paraparë që në ora 09:30 të niset për Prekaz për homazhe, para se të caktohej seanca e sotme nga Kryesia.
“Deputetët e PDK’së kanë planifikuar të shkojnë në Prekaz. Plani i bërë shumë më herët se të caktohet seanca ka qenë që të nisem në 09:30 për Prekaz, dhe ashtu do t’ia bëjmë”, ka thënë Reçica për Periskopi.
Për këtë çështje, Periskopi kontaktoi edhe deputeten tjetër të PDK’së, Ganimete Musliu, e cila ka deklaruar se i qëndron pas deklaratës së dhënë për herët.
Ajo jo që nuk do të marrë pjesë në seancë, por madje ka bërë thirrje që ajo të bojkotohet.
Kështu ajo ishte shprehur edhe në një deklaratë, në ditën e caktimit të seancës së sotme nga Kryesia e Kuvendit.
‘’Turpi s’paska fund!!! 5.6 dhe 7 Marsi duhet te jete feste kombetare e morale per vendin dhe popullin tone, feste e cila bashkon shqiptaret, feste qe na bene te reflektojme per punen tone te perditshme, feste qe na orjenton si popull e si shtet. Ne vend qe te organizohet seance solemne ne keto data per te nderuar sakrificen dhe trimerine e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe te familjes se tije opozita e paska zgjedhur te mbaje seance pikerisht kete dite per te qeruar hesape politike me Qeverine e vendit. Sikur nuk paskan mbete dite tjera ne kalendar per pune te tilla. Kjo seance definitivisht duhet te bojkotohet’’, kishte thënë Musliu./PERISKOPI












