Deputetët e PDK’së s’shkojnë në seancë të jashtëzakonshme, nisen për Prekaz

Sot është paraparë që nga ora 10:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të diskutohet për vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara. Caktimi i kësaj seance më 5 mars, ishte kritikuar nga deputetët e pozitës, të cilët kishin kërkuar seancë […]
Deputeti i PDK’së, Ilmi Reçica ka thënë për Periskopin se grupi i tyre parlamentar ka paraparë që në ora 09:30 të niset për Prekaz për homazhe, para se të caktohej seanca e sotme nga Kryesia.
“Deputetët e PDK’së kanë planifikuar të shkojnë në Prekaz. Plani i bërë shumë më herët se të caktohet seanca ka qenë që të nisem në 09:30 për Prekaz, dhe ashtu do t’ia bëjmë. Nëse mundemi me mbrri për seancë, atëherë disa prej deputetëve do të jenë aty”, ka thënë Reçica për Periskopi.
Për këtë çështje, Periskopi kontaktoi edhe deputeten tjetër të PDK’së, Ganimete Musliu, e cila ka deklaruar se i qëndron pas deklaratës së dhënë për herët.
Ajo jo që nuk do të marrë pjesë në seancë, por madje ka bërë thirrje që ajo të bojkotohet.
Kështu ajo ishte shprehur edhe në një deklaratë, në ditën e caktimit të seancës së sotme nga Kryesia e Kuvendit.
‘’Turpi s’paska fund!!! 5.6 dhe 7 Marsi duhet te jete feste kombetare e morale per vendin dhe popullin tone, feste e cila bashkon shqiptaret, feste qe na bene te reflektojme per punen tone te perditshme, feste qe na orjenton si popull e si shtet. Ne vend qe te organizohet seance solemne ne keto data per te nderuar sakrificen dhe trimerine e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe te familjes se tije opozita e paska zgjedhur te mbaje seance pikerisht kete dite per te qeruar hesape politike me Qeverine e vendit. Sikur nuk paskan mbete dite tjera ne kalendar per pune te tilla. Kjo seance definitivisht duhet te bojkotohet’’, kishte thënë Musliu.
Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar edhe shefin e Grupit Parlamentar të AAK’së, Ahmet Isufin dhe atë të Nismës, Bilall Sherifi, por ata nuk qenë të qasshëm në telefon.
Ndërkohë në njoftimin e Kuvendit të Kosovës, thuhet se seanca e sotme e jashtëzakonshme do të mbahet për vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.
“Debat parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Kryesia e Kuvendit seancë të jashtëzakonshme ka thirrur edhe për nesër [6 mars], në të cilën do të diskutohet për funksionalizimin e KQZ’së./PERISKOPI












