Biznese të reja në bujqësi dhe turizëm sigurojnë punësim për të rinjtë

Shkruan: Birol Urcan Visar Kluna është 24 vjeçar, i diplomuar në ekonomi. Deri vonë, ai kurrë nuk ka menduar se do të vinte dita që ai të përfshihej në biznes bujqësor. Ai ka menduar se në të ardhmen me siguri do të punonte në bankë ose në ndonjë profesion që ka lidhje me ekonominë apo […]
Shkruan: Birol Urcan
Visar Kluna është 24 vjeçar, i diplomuar në ekonomi. Deri vonë, ai kurrë nuk ka menduar se do të vinte dita që ai të përfshihej në biznes bujqësor. Ai ka menduar se në të ardhmen me siguri do të punonte në bankë ose në ndonjë profesion që ka lidhje me ekonominë apo në ndonjë zyrë. Kohë më parë, vëllai i tregoi për një “lloj” trajnimi për bujqësinë që ofrohej për të rinj të papunësuar. Vendimi për të marrë pjesë në këtë trajnim doli që për Visarin të ishte edhe vendim për të filluar një karrierë të re profesionale, të cilën ai as nuk e kishte planifikuar. “Ishte definitivisht vendimi i duhur. Në fillim kisha dyshime, mirëpo gjatë trajnimit fillova të bindem se e ardhmja e biznesit është në bujqësi dhe më saktë, në prodhimin e produkteve organike” thotë Visari. Pas seancave të trajnimit, të gjithë pjesëmarrësve iu kërkua të bëjnë planet e biznesit që duhet të bazohen tek fizibiliteti financiar, studimi i tregut dhe njohuri të tjera që kanë nxënë gjatë trajnimit.
Kandidatët me propozimet më të mira morën mbështetje financiare për të nisur bizneset e tyre. Visari është një nga kandidatët e suksesshëm që si rezultat i këtij projekti u bë fermer profesional dhe një ditë shpreson që ta shndërrojë parcelën e tij të vogël me mjedra në një biznes të madh. “Kaloja çdo ditë para kësaj toke që gjendet pranë shtëpisë sime dhe kurrë nuk më shkonte mendja se një ditë do të nxirrja të ardhura prej saj. Tani po fitoj para duke përdorur këtë tokë. Është si një ëndërr“ thotë ai. Aktualisht, Visari fiton mjaft para për ta mbështetur veten dhe familjen e tij. Visari thotë se edhe pse ka diplomuar për ekonomi, nga seancat e trajnimit i ka mësuar shumë sa i përket aspektit praktik të biznesit. Tani, të tjerë njerëz nga fshati i tij janë të interesuar për të mbjellë mjedra ose fruta të imta në tokën e tyre. Ata e vizitojnë Visarin për të parë dhe për të mësuar nga përvoja e tij, pasi e shohin si një mundësi të mirë për përfitime ekonomike për ta dhe familjet e tyre.
Visari nuk është i vetmi që ka përfituar nga ky projekt. Edhe 25 të rinj të tjerë që deri vonë ishin të papunësuar kanë filluar tani bizneset e tyre falë këtij projekti të financuar nga Bashkimi Evropian. Fillimisht, programi ka trajnuar 100 të rinj në fushën e bujqësisë dhe turizmit, 50 prej tyre ia dolën deri në raundin e dytë ku ekspertë të zhvillimit të ideve për biznese të reja i kanë këshilluar. Si rezultat, 25 idetë më të mira të biznesit që mbulojnë një sërë aktivitetesh si prodhimi i fasuleve, hudhrave, mjedrave dhe qepëve, si dhe turizëm rural dhe eko, tani janë aktivë në tregun e Kosovës.












