Bajrami: Si u morët vesh për koalicione, që s’po mund të merrni vesh për disa anëtarë të KQZ’së

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami ka komentuar vendimin e presidentit Hashim Thaçi për dekretimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve – raporton Periskopi. Bajrami ka thënë se presidenti ka zgjedhur formulën që anëtarët e KQZ’së të […]
Bajrami ka thënë se presidenti ka zgjedhur formulën që anëtarët e KQZ’së të vinë nga koalicionet dhe partitë politike ashtu siç kanë garuar në zgjedhje.
E në bazë të kësaj formule, dy anëtarë në KQZ i takojnë koalicionit qeverisës PAN, dy anëtarë koalicionit të LDK’së me AKR’në dhe Alternativën dhe dy anëtarë të tjerë të jenë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai ka thënë se lidhur me këtë çështje mund të ketë mosmarrëveshje mes partive për anëtarët, por ato do të duhej t’i zgjidhnin mes veti këto çështje, e jo të paralajmërojnë që ta dërgojnë në Kushtetuese vendimin e presidentit.
“Grupet parlamentare mund të arrijnë marrëveshje mes veti se si të përfaqësohen në KQZ. Brenda koalicioneve është dashur të diskutohet për këto çështje. Ligji nuk e ka rregulluar këtë çështje, nëse një parti më e vogël në koalicion mund të propozojë kandidat. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, grupet parlamentare propozojnë kandidatët, qysh kanë garuar në zgjedhje. Brenda koalicionit duhet të merren vesh për kandidatët. Nëse s’merrem vesh, atëherë po i bie që s’janë marrë vesh si duhet as kur i kanë bërë koalicionet. Duhet të ketë mirëbesim mes partive politike për këto çështje”, ka thënë Bajrami në Rubikon.
Tutje, ai thotë se partitë që paralajmëruan se do ta dërgojnë këtë çështje në Kushtetuese, nuk do të kenë rast, pasi presidenti është bazuar pikërisht në një vendim të Gjykatës.
Ndërkohë, në presidencë nesër pritet të dekretohen Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala nga Vetëvendosje, Ilir Gashi (PDK) dhe Ibrahim Selmanaj (AAK) nga koalicioni PAN dhe Florian Dushi e Sami Hamiti nga LDK.
Ftesa për dekretim për anëtar të KQZ’së nuk kanë marrë Partia Socialdemokrate e cila ka propozuar Marigna Drevinjën dhe Nisma Socialdemokrate, të cilët kanë propozuar Eshref Vishajn.
Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit i ishin propozuar dy formula se si t’i emërojë anëtarët e rinj të KQZ – secilit grup parlamentar t`i takoj nga një anëtar apo formulën tjetër që koalicion qeverisës të ketë dy anëtar, sikurse edhe dy partitë që janë në opozitë (LDK – VV).
Presidenti Hashim Thaçi, muaj më parë këtë çështje e kishte adresuar edhe në Gjykatën Kushtetuese, por e cila nuk kishte saktësuar se si të ndahen mandatet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve./PERISKOPI












