Rama: Berisha furnizoi me naftë tanket e Beogradit, sot e quan Thaçin argat të tyre

Furnizoi me naftë tanket e Kasapit të Beogradit, ndërsa sot e quan Presidentin e Kosovës argat albanofob të Beogradit. Kështu tha sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke kujtuar disa nga qëndrimet e deputetit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, karshi Kosovës. Ndër të tjera, Rama kujtoi edhe thirrjen për të refuzuar Rambujenë, ndërsa tha se […]
Furnizoi me naftë tanket e Kasapit të Beogradit, ndërsa sot e quan Presidentin e Kosovës argat albanofob të Beogradit. Kështu tha sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke kujtuar disa nga qëndrimet e deputetit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, karshi Kosovës.
Ndër të tjera, Rama kujtoi edhe thirrjen për të refuzuar Rambujenë, ndërsa tha se “vesi del me shpirtin”.
“Furnizoi me naftë tanket e Kasapit të Beogradit. Bëri thirrje për të refuzuar Rambujenë. Shpalli terroristë marksistë-leninistë luftëtarët e UÇK. Ibrahim Rugova s’denjoi t’i fliste më derisa vdiq. Sot e quan Presidentin e Kosovës argat albanofob të Beogradit! Vesi del me shpirtin”, u shpreh Rama.
Ndryshe, përplasja mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, ka nisur për idenë e kufijve. Berisha vazhdimisht e quan Thaçin si ‘argat të Beogradit dhe zërin e Vuçiqit në Kosovë’.
Madje, së fundmi, Berisha ka refuzuar ofertën e Thaçit për një debat televiziv lidhur me mospajtimet e shprehura haptazi me qëndrimet e njëri-tjetrin. Berisha, ka thënë se ‘më parë do të dilte në debat me Vuçiqin se sa me Thaçin’.
Ndërkohë, në emisionin ‘Të paekspozuarit’, presidenti Thaçi, ka thënë se liderët politikë në Shqipëri duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe ta ‘lënë Kosovën rehat’. /Periskopi/












