Mustafa: Një ditë BE’ja do të na kërkojë të dialogojmë me Serbinë edhe për frymën që marrim

Kryetari i LDK’së Isa Mustafa, ka mbetur i habitur me kërkesën e BE’së, që Trepça të trajtohet në dialog me Serbinë. Ai thotë se sa ishte kryeministër, u përgatit dhe u aprovua Ligji për Trepçën. Kujton edhe mbështetjen që deputetët e LDK’së ia dhanë së fundmi në Kuvend Statutit të Trepçës. Mustafa thotë se kështu […]
Kryetari i LDK’së Isa Mustafa, ka mbetur i habitur me kërkesën e BE’së, që Trepça të trajtohet në dialog me Serbinë.
Ai thotë se sa ishte kryeministër, u përgatit dhe u aprovua Ligji për Trepçën. Kujton edhe mbështetjen që deputetët e LDK’së ia dhanë së fundmi në Kuvend Statutit të Trepçës.
Mustafa thotë se kështu si ka nisur puna, një ditë Kosovës do t’i kërkohet që as frymë të mos marrë pa bërë dialog me Serbinë.
Mesazhi i plotë i Mustafës, përcjell Periskopi:
Të nderuar qytetarë
Më habiti kërkesa e BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës.
Në mandatin, kur unë isha Kryeministër i vendit, përgatitëm dhe aprovuam Ligjin për Trepçën, duke e shpëtuar këtë simbol ekonomik të vendit nga falimentimi dhe privatizimi. Deputetët e LDK-së votuan para disa ditësh Statutin e Trepçës, i cili mori 2/3 e votave në Kuvend. Kjo flet për unitetin tonë karshi interesave jetike të vendit.
Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë! IM












