Mustafa liston të këqijat e PAN-it: Rrihnin gjoks se do merrnin vendime të mëdha, po e kolapsojnë vendin

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka shkruar një mesazh në Facebook ku thotë se ky koalicion që rrihte gjoks se do marrë vendime të mëdha, po e kolapson Kosovën. Ai shkruan për të gjithë situatën aktuale politike në vend, përfshirë të gjitha grevat, korrupsionin, çnjohjet, marrëdhëniet e përkeqësuara me SHBA dhe BE. Në fund, thotë […]
Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka shkruar një mesazh në Facebook ku thotë se ky koalicion që rrihte gjoks se do marrë vendime të mëdha, po e kolapson Kosovën.
Ai shkruan për të gjithë situatën aktuale politike në vend, përfshirë të gjitha grevat, korrupsionin, çnjohjet, marrëdhëniet e përkeqësuara me SHBA dhe BE.
Në fund, thotë Mustafa, qeverisja që po kryesohet me PDK’në është e dëmshme për Kosovën, shkruan Periskopi.
Mesazhi i plotë në Facebook:
Të nderuar qytetarë,
Koalicioni, që rrihte gjoks se do të merr vendime të mëdha, po e kolapson Kosovën.
Po mbushen tre javë me shkolla e fakultete te mbyllura, e këta vazhdojnë të bëjnë pazare;
Mijëra pacient presin për tu operuar, ndërkaq kirurgët vazhdojnë grevën;
Të pakënaqur me paga shprehen edhe gazetarët e RTK-së, doganierët, infermierët, punonjësit e shërbimit korrektues…
PSD e shantazhon Qeverinë me Ligjin për paga, Ligjin për dialogun, shkarkime e ngarkime… ashtu siç e shantazhonte Lista Serbe;
Po hyjmë në muajin e tretë, që katër komuna në veri nuk e pranojnë sovranitetin shtetëror;
Ky koalicion dështoi në liberalizimin e vizave, në anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dështoi me kontratën e Kosovës së Re, sepse u tërhoq financuesi kryesor – Banka Botërore, po e shkatërron Telekomin me punësime partiake sikurse edhe ndërmarrjet e tjera publike;
Ky është koalicioni me Qeverinë me 1/3 e ministrave me aktakuza me mbi 80 zëvendësministra;
Ky koalicion ia humbi Kosovës 13 njohje;
Korrupsioni, sipas matjeve ndërkombëtare është në rritje;
Marrëdhëniet me SHBA dhe BE janë përkeqësuar.
E gjithë kjo nuk habitë. Janë këta të njëjtit që për dy vite e gjysmë e kallën Kosovën, erdhën në pushtet me dhunë; kundërshtuan Marrëveshjen për demarkacionin deri sa erdhën në pushtet; janë të njëjtit që organizuan anulimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por nuk arritën, në dhjetor të vitit 2017 dhe që nuk mërziteshin as për BE-në e as për SHBA-të.
Kosova nuk duhet t’ia besoj edhe më tutje këtij koalicioni qeverisjen e vendit; nuk duhet t’ia besoj dialogun për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, nuk duhet t’ia besoj arkën e shtetit…
Qeverisja e këtij koalicioni, në krye me PDK-në, është e dëmshme për Kosovën.












