Ministria e Pacollit i përgjigjet Daçiqit: Je një qyqar që tutesh nga një e vërtetë historike – pavarësia e Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i është kundërpërgjigjur një deklarate të ministrit serb, Ivica Daçiq të publikuar nga mediat serbe se ‘Behgjet Pacolli e kishte kërcënuar me vrasje në Bukuresht’, në takimin joformal të organizuar nga Rumania, si kryesuese e Presidencës së Këshillit të BE’së Këshilltari i Pacollit, Fatmir Haxholli në një përgjigje […]
Këshilltari i Pacollit, Fatmir Haxholli në një përgjigje për Periskopin e ka quajtur qyqar Daçiqin, duke ia kujtuar disa vrasje të politikanëve në Serbi dhe duke thënë se e kaluara e vendit të tij është përplot krime ndaj të tjerëve.
‘’Janë serbët e përfaqësuar nga mentaliteti i Ivica Daçiq, ata që vranë Kryeministrin e tyre, Zoran Gjingjiq, kjo veçmas për faktin se në mungesë guximi për t’u përballur me të vërtetën historike, pavarësinë e Republikës së Kosovës, politikanët qyqarë sikurse Daçiq, nuk mund të shohin dalje nga situata, veçse përmes vrasjeve. Mos harroni, që janë pak media hulumtuese në Serbi, ato që tashmë kanë drejtuar gishtin te Beogradi zyrtar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Çfarë t’i thuhet kësaj figure të veshur me petkun diplomatik, përpos se e kaluara e vendit të tij, është përplot krime ndaj të tjerëve, si dhe vrasje e vetëvrasje në mesin e tyre. Daçiq le t’i qetësojë turnat radikale në Serbi, nëse mund t’i mbajë ende nën kontroll, sepse duke mos pasur se kë të sulmojnë, ato lehtë mund të kthehen edhe kundër politikanëve qyqarë e gënjeshtarë. Daçiqit si bashkëpunëtor i Millosheviqit, me siguri i kujtohet edhe vrasja e Ivan Stamboliq’’, thuhet në përgjigjen e Haxhollit, dhënë për Periskopin.
Sipas tabloidit serb “Kurir”, Pacolli në gjuhën serbe i ka thënë Daçiqit: “Nëse ndodh ndonjë atentat, dije se jemi ne shqiptarët”.
Në një deklaratë për tabloidin serb, Daçiq lidhur me këtë rast ka thënë se “politikanët shqiptarë janë me nerva, sepse po u shembet dheu nën këmbë”.
”Jam bërë i shurdhër ndaj kërcënimeve, por kjo është hera e parë që dikush nga politikanët shqiptarë të thotë kështu drejtpërdrejt. Kjo regon se sa janë me nerva, po u shembet dheu nën këmbë. Kanë menduar se e tëra ka përfunduar”, ka thënë Daçiq.
Kujtojmë që diplomati serb, Daçiq po lobon pa ndalë kundër njohjeve të Kosovës, duke nxitur shtete të ndryshme edhe ta tërheqin atë. /PERISKOPI












