Mbi 100 mijë qytetarë, viktima të mashtruesve të aviobiletave

Falimentimi i kompanisë gjermane “Germania”, dyshohet se do të dëmtojë dhjetëra-mijëra qytetarë që kanë rezervuar biletat e udhëtimit gjatë ditëve dhe muajve në vijim. Marrë edhe rastet e viteve të fundit, dyshohet se numri i qytetarëve që kanë rënë viktimë e mashtruesve të aviobiletave ka arritur në mbi 100 mijë Falimentimi i aviokompanisë gjermane “Germania”, […]
Falimentimi i kompanisë gjermane “Germania”, dyshohet se do të dëmtojë dhjetëra-mijëra qytetarë që kanë rezervuar biletat e udhëtimit gjatë ditëve dhe muajve në vijim. Marrë edhe rastet e viteve të fundit, dyshohet se numri i qytetarëve që kanë rënë viktimë e mashtruesve të aviobiletave ka arritur në mbi 100 mijë
Falimentimi i aviokompanisë gjermane “Germania”, dyshohet se ka dëmtuar dhjetëra-mijëra qytetarë të Kosovës që kanë rezervuar bileta avioni nga Gjermania drejt Kosovës, si dhe anasjelltas. Por, nuk është kjo hera e parë kur qytetarët po bien viktimë e kompanive të tilla që marrin paratë dhe nuk u ofrojnë shërbime qytetareve. Ishte kompania “Bell Air”, por edhe dhjetëra kompani tjera, të cilat dyshohet se kanë dëmtuar më shumë së 50 mijë qytetarë të cilët thuajse më pas nuk i ka kompensuar askush. Por marrë edhe rastin e fundit dyshohet se numri i qytetarëve që kanë rënë viktimë e kompanive të tilla mund të kalojë në mbi 100 mijë. Të hënën “Germania” ka ndaluar të gjitha fluturimet dhe ka aplikuar për falimentim pasi nuk ka mbuluar një “problem afatshkurtër të likuiditetit”. Kjo kompani kishte transportuar mbi katër milionë pasagjerë në vit. “’Germania’ nuk kishte ‘asnjë opsion tjetër’, por të paraqiste falimentimin pas telasheve financiare”, tha të martën drejtori i kompanisë ajrore, Karsten Balke.
Balke: Njerëzit që blenë biletat direkt nga kompania nuk mund të pretendojnë për udhëtime alternative
Kompania me bazë në Berlin anuloi të gjitha fluturimet dhe këshilloi pasagjerët të kontaktojnë agjentët e tyre të udhëtimit rreth aranzhimeve alternative. Por, njerëzit që blenë biletat e tyre direkt nga kompania “fatkeqësisht nuk mund të pretendojnë për udhëtime alternative”, tha kompania. Balke fajësoi “rrethanat e paparashikuara” për falimentimin, të tilla si rritja e çmimeve të kerozinës, zhvlerësimi i euros kundrejt dollarit dhe shpenzimet e papritura të mirëmbajtjes. “Për fat të keq nuk ishim në gjendje të përfundonim me sukses përpjekjet tona financiare për të mbuluar një problem afatshkurtër të likuiditetit”, tha ai. Nuk janë paguar pagat e janarit Balke i kërkoi falje udhëtarëve dhe lavdëroi punonjësit për punën e tyre cilësore, “edhe për javët e tensionuara që sapo kishim”. Linja ajrore e mesme fluturonte në rreth 60 destinacione në Evropë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme, duke transportuar më shumë se katër milionë pasagjerë në vit.
Dëmi do të jetë shumë i madh
Po ashtu, të martën (sot) përmes një e-maili, kompania “Air Prishtina” ka njoftuar të gjithë bashkëpunëtoret e saja për falimentimin e kompanisë “Germani”. “Ju njoftojmë se nga nesër, e mërkure date 06.02.2019, fluturimet tona ne destinacionet nga Gjermania dhe anasjelltas do t`i realizojmë me aviokompaninë zëvendësuese, për shkak të pezullimit te operimeve nga ‘Germania’. Te gjitha fluturimet tona do te realizohen sipas planit te parapare dhe orarit i cili është i publikuar online ne sistem!”thuhet në e-mailin që iu është dërguar. Por, burime të besueshme bëjnë të ditur se dëmi nga falimentimi i kësaj kompanie do të jetë shumë i madh dhe do të ketë pasoja të mëdha te qytetaret e Kosovës. “Shumë bileta janë rezervuar gjatë muajve në vijim për destinacione të shumta. Për momentin kompania ka angazhuar vetëm dy avionë nga Bullgaria të cilët në asnjë mënyrë nuk mund të mbulojnë të gjitha destinacionet që janë shitur biletat. Dëmi do të jetë shumë i madh sidomos gjatë kohëve të verës kur rritet dukshëm fluksi i qytetareve për të ardhur drejt Kosovës” tha më tutje ky burim i besueshëm. Sipas tij, numri i biletave të rezervuara mund të shkoj mbi 50 mijë.
Berisha: Po mundohemi ta zvogëlojmë dëmin
Eset Berisha, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës thotë se falimentimi i kompanisë “Germania” është lajm shumë i keq për industrinë e aviacionit. Sipas tij, kjo ka pasur shumë fluturime nga Prishtina për në shumë qytete dhe anasjelltas, por sipas tij vendimi i kompanisë ishte që të ndërpres fluturimet. “Ministria e Infrastrukturës si përgjegjëse për rregullimin ekonomik të aviacionit do të ndërmerr të gjitha masat që së bashku me Autoritetin e Aviacionit Civil të zvogëlojnë sa më shumë dëmin që mund të iu shkaktohet qytetareve të Kosovës që tashmë kanë rezervuar biletat në kompaninë në fjalë” ka thënë Berisha.
Heqja e depozitës 500 mijë euro që legalizoi mashtrimin
Gjatë viteve të fundit një numër i madh i kompanive mashtruese ia mësynë biznesit me aviobileta, pasi që me kërkesë të ish drejtorit menaxhues të Aeroportit të Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), Komisioni Evropian (KE) ka shtyrë ministrisë e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT) që të heq depozitën prej 500 mijë euro për kompanitë që dëshirojnë të fluturojnë nga ky aeroport. Në atë kohë një veprim i tillë i drejtorit të aeroportit Agron Mustafa është pa si kërcënim për qytetarët e Kosovës të cilët e shfrytëzojnë këtë aeroport për udhëtime jashtë vendit.












