Këto janë shtetet që hanë më së shumti mish, ai mbetet luks për të varfrit

Mund të keni dëgjuar së fundmi që është rritur numri i njerëzve që kanë reduktuar ngrënien e mishit, ose disa që e kanë ndërprerë plotësisht. Arsyet janë të ndryshme: për të qenë më të shëndetshëm, për të pakësuar dëmin në mjedis ose për të mbrojtur kafshët – raporton Periskopi. Një e treta e britanikëve thonë […]
Një e treta e britanikëve thonë se e kanë pakësuar ose ndërprerë ngrënien e mishit, kurse dy e treta e amerikanëve kanë deklaruar se po hanë më pak mish ose së paku një lloj të mishit, shkruan Hannah Ritchie për BBC.
Por pavarësisht kësaj, konsumimi i mishit është rritur shumë gjatë 50 viteve të fundit.
Prodhimi i mishit sot është pesë herë më i lartë se në fillim të vitit 1960, nga 70 milion ton sa ishte, në vitin 2017 arriti mbi 330 milion ton, transmeton Periskopi.
Rritja e konsumit dhe prodhimit të mishit ka ardhur si rezultat i rritjes së numrit të popullsisë në botë.
Gjatë këtyre viteve, popullsia është mëse e dyfishuar.
Në fillim të vitit 1960 kishte rreth tre miliardë njerëz, kurse tani janë më shumë se 7.6 miliardë.
Arsye tjetër e rritjes së konsumit të mishit, është rritja e të ardhurave.
Njerëzit nëpër botë janë bërë më të pasur, me të ardhura mesatare trefish më të mëdha se sa gjysmë shekullin e kaluar.
Nëse e krahasojmë konsumimin e mishit nëpër vende të ndryshme, e shohim se janë pikërisht të pasurit ata që hanë më së shumti mish.
Niveli i lartë i konsumimit të mishit është vërejtur në Perëndim, ku shumica e shteteve të Evropës Perëndimore konsumojnë 80-90 kilogram mish për person. Nga ana tjetër, shumica e shteteve të varfra hanë më pak mish.
Në Etiopi, mesatarja e konsumimit të mishit për person është shtatë kilogramë, në Ruanda tetë kg kurse në Nigeri dhjetë kg, që i bie se është dhjetë herë më e vogël se në Evropë.
Kjo tregon se për njerëzit që jetojnë në shtetet me të ardhura të vogla, mishi ende mbetet një luks i madh, shkruan BBC.
Pra, nuk është rritur vetëm numri i popullsisë, është rritur edhe numri i personave të pasur që mund ta përballojnë blerjen dhe konsumimin e mishit.
Ndërkaq, në Kosovë mishi konsumohet në masë të madhe, bazuar në numrin e madh të lokaleve ‘fast food’, dhe numrin e vogël të restauranteve vegane ose vegjetariane, kurse çmimet varen nga lloji i restaurantit dhe dallojnë nga qyteti në qytet.
Kur jemi te konsumi i mishit në Kosovë, rikujtojmë se kohët e fundit nëpër media është raportuar për plot skandale lidhur me produktet e mishit. Policia ka konfiskuar mijëra kilogramë të mishit të prishur dhe mishit me prejardhje të dyshimtë që ishin destinuar pikërisht për tryezat e njerëzve. /Periskopi/












