Java vendimtare e Haradinajt për taksën: Kushtet që SHBA kërkon nga Kosova t’i plotësojë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë kësaj jave do ta ketë vendimin final për pezullimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, pas sanksioneve dhe ultimatumeve që i kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për pezullimin e taksës 100%. Haradinaj është kushtëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për pezullimin e […]
Haradinaj është kushtëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për pezullimin e taksës 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës, kushtëzime dhe kërkesa këto nga SHBA’të për të vetmen arsye fillimin e dialogut me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshje finale mes dy vendeve.
Madje, ndaj Haradinajt tani kanë filluar edhe sanksionet dhe ultimatumet nga SHBA’të, ati para disa ditësh i kanë refuzuar vizën amerikane, pasi ai kërkoi që të udhëtojë për në SHBA, që të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Washington DC.
Se kërkesat e SHBA’së ndaj Qeverisë së Kosovës dhe shefit e tij janë shumë serioze e dëshmon fakti që Ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Philip Kosnett, ka zhvilluar disa takime me liderët e vendit dhe ka kërkuar me deklarata publike për pezullimin e taksës 100%.
Kosnett ka thënë se nëse Kosova dëshiron që me SHBA’të të ketë raporte dhe marrëdhënie të mira duhet t’i dëgjojë këto kërkesa që i ka parashtruar, nëse nuk plotësohen këto kushte ai ka bërë të ditur se marrëdhëniet mes dy vendeve do të acarohen.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA’ve dhe Departamenti i Shtetit Amerikan kanë formësuar ditë më parë pozicionin e tyre lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, respektivisht çeshtjen e taksës së vendosur nga qeveria dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky qëndrim i prerë i administratës amerikane është përmbledhur në tetë pika kryesore:
1. “Masat tarifore janë marrë pa asnjë konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
2. “Shprehim zhgënjimin e thellë që pas letrës së Presidentit Trump drejtuar Presidentit Thaçi, jo vetëm që nuk ka pasur reflektim pozitiv nga ana e Qeverisë së Kosovës, por janë shtuar produktet të cilat i nënshtrohen tarifës“.
3. “Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të tarifës. E njëjta tarifë mund të rivendoset në rast se dështon marrëveshja me Serbinë“.
4. “Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Kosova për momentin e bart barrën e rrezikimit të dështimit të dialogut“.
5. “Nëse tarifa nuk suspendohet urgjentisht, SHBA-të do të suspendojnë asistencën në fushën e sigurisë, pra mbështetjen për FSK“.
6. “Suksesi dhe arritja e marrëveshjes nuk ndërlidhen me rolin e znj. Federica Mogherini dhe BE-në. Arritja e marrëveshjes është interes strategjik i SHBA-ve, prandaj është e papranueshme për ne vënia në pikëpyetje e këtij qëllimi strategjik nga ana e veprimeve të papergjegjshme të liderëve kosovarë”.
7. “Në rast se marrëveshja dështon për shkak të Kosovës, barrën e përgjegjësisë dhe pasojat do t’i bartë vetë Kosova dhe individët përgjegjës për këtë dështim“.
8. “Kosova me sjelljet e saja të papërgjegjshme po e rrezikon seriozisht miqësinë me SHBA-të”.
Klan Kosova gjithashtu e ka të konfirmuar që me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, ky mesazh është përcjellë tek pesë institucionet relevante shtetërore të Kosovës nëpërmjet kanaleve diplomatike.












