“Flija”, studim antropologjik mbi kulturën buknore të Kosovës

Miell, ujë e kripë, janë përbërësit kryesorë të flisë, që konsiderohet si një nga ushqimet më të shijshme dhe më të famshme të shqiptarëve. Por përvec shijes dhe famës, flija si ushqim është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare. Së fundmi, edhe në Kosovë është botuar libri “Flija”, përmes së cilit mëtohet të paraqitet […]
Por përvec shijes dhe famës, flija si ushqim është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Së fundmi, edhe në Kosovë është botuar libri “Flija”, përmes së cilit mëtohet të paraqitet kultura buknore shqiptare përmes simbolit dhe praktikës së flisë.
Autori i këtij libri, Arsim Canolli, i cili njëherësh është profesor i antropologjisë në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, në një intervistë për Periskopi-n ka rrëfyer më shumë rreth librit të tij të fundit.
Canolli thotë se ideja për të shkruar një libër rreth flisë nuk ishte krejt e rastësishme, pasi që ai studion që dhjetë vite kulturën bunkore në kuadër të antropologjisë.
“Përmes ushqimit apo bukës, si thuhet në popull, mund të njihet kultura e një vendi, diversiteti kulturor, shkëmbimet kulturore, botëkuptimi për mikpritjen, tradita dhe ndryshimi, etj. Duke qenë se flija është një ndër ikonat e kuzhinës shqiptare kam dashur që të shkruaj për flinë, por duke u nisur prej saj e duke dalur te trashëgimia, shoqëria, shteti, etj. Prej flisë niset dhe me fli mbarohet, por libri është studim i sjelljes e kulturës”, thotë Canolli për Periskopi-n.
Libri është i ndarë në tetë kapituj, dhe në secilin kapitull është trajtuar raporti mes flisë si gatesë dhe aspekt shoqëror.
Canolli thotë se përmes këtij libri ka synuar të tregojë peshën që ka flija në shoqërinë shqiptare, duke e analizuar në një horizont të gjerë kulturor e shoqëror.
“Kam dashur që përmes studimit të flisë si haje esenciale në traditën shqiptare të shqyrtoj sjelljen dhe kulturën shqiptare në kontekst të këtyre aspekteve, duke u fokusuar kryesisht në Kosovë. Gjatë dy dekadave të fundit kemi përjetuar një fazë intensive të shtetndërtimit. Në këtë intensitet, kosovarët kanë dashur të identifikojnë dhe të zhvillojnë disa simbole e praktika kulturore të Kosovës, duke dashur t’i theksojnë ato si kulturë shqiptare e Kosovës, gjithnjë në kontekst të shtetndërtimit por edhe të rivitalizimit të traditës, si proces negociues i zhvillimeve e ndryshimeve të reja shoqërore”, thotë Canolli.
Canollit iu deshën shumë vite për të kompletuar këtë studim shkencor mbi kulturën buknore, që u kurorëzua me botimin e librit “Flija”. Ai bëri studime në terren në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi e Maqedoni, intervistoi shumë njerëz e analizoi literaturë përkatëse.
Mirëpo, Canolli thotë se ka ende njerëz që e kanë keqkuptuar përmbajtjen e librit, duke menduar se është libër kulinarie me receta të ndryshme të flisë.
“Ka edhe keqkuptime, sepse një numër njerëzish më kanë shkruar, duke menduar se është libër kulinarie që tregon recetat e ndryshme të flisë. Por, ky libër është studim antropologjik i kulturës përmes simbolit dhe praktikës së flisë. Pra, është studim që ka referenca, analiza, krahasime dhe diskuton tema mjaft të gjera. Por, për mua është kënaqësi t’iu përgjigjem lexuesve kur më shkruajnë, por kënaqem edhe duke lexuar e dëgjuar talljet, ironizimet, paragjykimet e atyre që nuk e kanë lexuar librin. Është thjesht kënaqësi! Por, do të dja shumë të lexoja mendimet e atyre që lexojnë librin, pavarësisht a janë akademikë apo jo. Sepse jam munduar që ta shkruaj librin sa më thjesht dhe sa më qartë, për lexuesin e gjerë. Shpresoj t’ia kem dalur”, thotë Canolli për Periskopi-n.
Libri “Flija” fillimisht u botua në Tiranë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 2018, e një vit më vonë u ribotua edhe në Kosovë pas kërkesës së lexuesve.
“Flija” është libri i tretë me radhë në vazhdën e botimeve të profesorit Arsim Canolli.
Ndërkaq Kosova e ka futur flinë në listën e mbrojtjes si trashëgimi kulturore e shpirtërore, dhe kur Kosova të pranohet në UNESCO, pritet që Ministria e Kulturës ta propozojë dhe ta fusë në UNESCO si trashëgimi kulturore të Kosovës. /Periskopi/












