BIK’u ia kthen paratë e anëtarësisë qytetarit nga Vushtrria, sqaron si ndodhi rasti

Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës, përmes një reagimi për media, ka sqaruar se si ka ndodhur rasti i qytetarit të Vushtrrisë Sabri Beqiri, i cili u detyrua të paguajë më shumë se 400 euro për anëtarësi, në mënyrë që t’i varrosej nëna me rite fetare – raporton Periskopi. Në sqarimin e BIK’ut thuhet se […]
Në sqarimin e BIK’ut thuhet se çështja e anëtarësisë është e ndarë nga shpenzimet e varrimet, të cilat i mbulon komuna e Vushtrrisë për çdo qytetar.
Lidhur me Beqirin, BIK ka thënë se me rastin e pagesës ai nuk ka deklaruar se është rast skamnor dhe se këtë gjë e kanë marrë vesh nga kronika e gazetarit.
Madje, BIK thotë se ai vullnetarisht kishte shkuar aty dhe kishte kërkuar të paguante anëtarësinë, pasi siç kishte thënë është rasti dhe se kishte ndihmë nga vllaznikllaku.
“Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri i ka kthyer sot paratë e anëtarësisë qytetarit Sabri Beqiri. Po ashtu KBI ka formuar një komision të brendshëm për të shikuar nëse ka pasur ndonjë lëshim nga zyrtarët e KBI në këtë rast e për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e tyre:
Lexoni të plotë njoftimin e BIK’ut:
Lidhur me kronikën në RTK për rastin e qytetarit Sabri Beqiri, Këshilli i Bashkësisë Islame -KBI në Vushtrri njofton opinionin dhe qytetarët se:
Asnjë qytetar i Vushtrrisë nuk paguan për shpenzime të varrimit, e për më tepër Bashkësia Islame nuk ka ndodhur asnjëherë që të refuzojë shërbimet e varrimit të ndonjë qytetari për mos pagesë, aq më tepër të rastet skamnore.
Shpenzimet e ritit të varrimit për çdo qytetar që nga janari 2018 i mbulon Komuna e Vushtrrisë, për çka si bashkësi jemi mirënjohës dhe kjo masë ka lehtësuar jetën e qytetarëve të Vushtrrisë.
Sqarojmë opinionin se anëtarësia është çështje e ndarë nga shpenzimet e varrimit. Si çdo kund në botë edhe tek ne paguhet si anëtarësia si shpenzimet e varrimit.
Për më tepër qytetari Sabri Beqiri ndihmohet rregullisht nga KBI dhe imamët me ndihma mujore materiale e ushqimore. Për këtë kemi dëshmi dhe janë të qasshme nga secili që ka interesim (shih foton).
Qytetari Sabri Beqiri me rastin e pagesës nuk ka deklaruar që është rast skamnor. Ne si KBI kur kemi kuptuar nga gazetari që ka bërë kronikën rastin e qytetarit Sabri Beqiri, jemi befasuar me deklaratën e qytetarit Sabri Beqiri se është rast skamnor sepse këtë ai nuk e ka deklaruar tek zyrtari i KBI kur e ka bërë pagesën.
Qytetari Sabri Beqiri, ka ardhur në Këshill dhe me vet dëshirë me para në xhep dhe ka deklaruar se dëshiron të paguajë anëtarësinë e pa paguar, duke deklaruar që “tani që është rasti edhe kam edhe ndihmën e vllaznillakut”. Nuk ka kërkuar të lirohet e as nuk ka paraqitur dëshmi që është rast social. Ndryshe KBI i liron nga pagesa e anëtarësisë të gjithë skamnorët.
Duke dashur që të ruajmë ndjeshmërinë e rastit si skamnor e duke dashur të ruajmë privatësinë e një skamnori e të familjes së tij jemi përmbajtur nga deklarimi për medie por kemi zhvilluar procedurat për të verifikuar këtë rast. Zyrtari i Këshillit ku është paguar anëtarësia është në zyre dhe nuk ka si me ditë që një rast është skamnor nëse nuk paraqitet ndonjë dëshmi nga vet qytetari e aq më tepër kur i njëjti ka ardhur me para në dorë në KBI dhe pa asnjë vërejtje a kërkesë për lirim, e ka paguar anëtarësinë.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri i ka kthyer sot paratë e anëtarësisë qytetarit Sabri Beqiri. Po ashtu KBI ka formuar një komision të brendshëm për të shikuar nëse ka pasur ndonjë lëshim nga zyrtarët e KBI në këtë rast e për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
KBI në Vushtrri ndihmon në baza mujore mbi 100 familje në Vushtrri me ndihma ushqimore e materiale.
Në Vushtrri asnjë familje nuk mbetet pa miell dhe gjana ushqimore sepse këto sigurohen nga imamët me përkrahjen e qytetarëve nga grumbullimi i zekatit dhe kjo praktikë është që zbatuar në 15 vitet e fundit.
KBI në Vushtrri kontribuon vazhdimisht me ndihma ushqimore e materiale skamnorët por po ashtu ka ndërtuar 3 shtëpi për skamnorët dhe ka siguruar donacion të vlefshëm për komunitetin si shtëpi shëndeti e shtëpi për kujdes për fëmijët me nevoja të veçanta.












