Zogaj: VV-ja eksperimentoi me propozimin e Konjufcës

Analisti politik Petrit Zogaj e ka cilësuar si eksperiment veprimin e djeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje që e propozoi Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit të Kosovës – pa një ujdi paraprake me LDK-në. Madje, sipas tij, as vet Lëvizja Vetëvendosje nuk priste që Glauk Konjufca të merrte votat e mjaftueshme për postin e kryeparlamentarit. “E […]
Madje, sipas tij, as vet Lëvizja Vetëvendosje nuk priste që Glauk Konjufca të merrte votat e mjaftueshme për postin e kryeparlamentarit.
“E gjitha u pa si një eksperiment që Vetëvendosja tentoi ta realizojë – që në fakt edhe e realizoi. Besoj që skenarin që e kishte përgatitur nuk ishte ai që rezultoi”.
“Ishte një eksperiment që do të besonte praktikisht që Glauk Konjufca nuk do të merrte votat për postin e kryeparlamentarit. Kështu do të fitohej edhe pak kohë, sepse seanca do të duhej të ishte shtyrë dhe konstituimi i Kuvendit nuk do të ndodhte – skena që i kemi parë edhe në vitin 2014 kur pati problem në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”.
“Ishte eksperiment i Vetëvendosjes, rezultati i të cilit nuk ishte ajo çfarë Vetëvendosja priste. LDK-ja e vazhdoi eksperimentin dhe e bëri atë lajmin e madh që e votoi kryetarin e Kuvendit, ende pa marrëveshje”.
Por, a priste LDK-ja e Isa Mustafës që Lëvizja Vetëvendosje do të propozonte një emër për postin e kryeparlamentarit?
“Unë nuk besoj që LDK-ja ishte duke pritur që Glauk Konjufca ose dikush tjetër nga Vetëvendosja do të propozohej për kryetar të Kuvendit pa e pasë një marrëveshje. Në sistemin tonë parlamentar është e pamundur aktualisht që vetëm një subjekt politik të krijojë institucionet e vendit”.
“LDK-ja priste që seanca të shtyhej dhe të tentohej të aranzhohej një marrëveshje tjetër politike”.
“Vetëvendosje tentoi të thotë ‘që duhet të lëvizim, edhe pse nuk ka marrëveshje duhet të konstituohet Kuvendi dhe ta kemi kryetarin dhe kryesinë’.
“Nuk besoj që Vetëvendosja ka pritur që do të bëhen 75 vota për Glauk Konjufcën. Ishte eksperiment i Vetëvendosjes që nuk më befasoi shumë, sepse Vetëvendosja ka një logjikë të eksperimentimit brenda filozofisë politike të saj – e ka bërë edhe si lëvizje dhe po e bën edhe tash si parti politike”.
Zogaj në një lidhje direkte nga New Yorku në Info Magazine të Klan Kosovës e ka quajtur këtë ‘eksperiment’ të Lëvizjes Vetëvendosje si të rrezikshëm.
“Ky është eksperiment që po prodhon krizë – ‘fantazma’ e vitit 2014 po vazhdon”.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka kushtëzuar veten tej mase duke thënë që i vetmi partner i mundshëm paszgjedhor në një marrëveshje për qeverinë e ardhshme do të jetë LDK-ja. Tash, LDK-ja po e luan kartën e saj”.












