VV në faqen e saj: Edhe nëse Serbia i kërkon falje Kosovës ne nuk ulemi në një tavolinë me ta

Në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje në Internet të quajtur “vetëvendosje.org” ndodhet një shkresë e gjatë në lidhje me një ndër parullat themeltare të saj “Jo Negociata, Vetëvendosje!” Në mënyrë eksplicite, Vetëvendosje deklaron se as në rastin kur Serbia do të kërkonte falje, “kjo nuk do të mjaftonte që ata të uleshin në një tavolinë me […]
“Pra, Serbia pas krejt këtyre krimeve të bëra mbi shqiptarët, ende nuk ka bërë hapin e parë që do të duhej ta bënte, kërkimfaljen publike si shtet, edhe pse kjo nuk do të mjaftonte që ne të ulemi me ta në një tavolinë në asnjë mënyrë.” – shkruan Vetëvendosje.
Më tej, kjo partia e quan me të drejtë Serbinë si një shtet vrasës që vazhdonte të kishte qëndrim armiqësor ndaj Kosovës si shtet dhe popullit të saj.
“Është tepër iracionale kur dëgjojmë nga Hashim Thaçi dhe politikanët e kalibrit të tij se negociatat me Serbinë do të ndihmojnë në “harmonizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me Serbinë” Kjo aspak nuk do koment. Deklarata të tilla se neve u dashka të “miqësohemi” me Serbinë, me shtetin i cili na vrau, na dogji, na dhunoi e na dëboi, dhe për më keq, vazhdon të na vrasë edhe sot, kur jemi shtet të paktën në letër dhe themi se kemi sovranitet, nuk dëgjohen diku tjetër veçse nga politikanët e Kosovës.” – shkruante më tej Lëvizja e drejtuar nga Kurti.
Por, përtej këtyre fjalëve patriotike, Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes dje u pa i ulur në një tavolinë me Marko Gjuriqin – madje, jashtë ambienteve të një konference që ishte organizuar nga një OJQ me seli në ShBA. /Periskopi/












