Sot nis Java kundër korrupsionit

Një sërë aktivitetesh janë paraparë të mbahen në kuadër të Javës kundër Korrupsionit në Kosovë. 9 dhjetori njihet ndryshe edhe si ‘Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit’, e cila shënohet që nga kalimi i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit më 31 tetor 2003, për të rritur ndërgjegjësimin publik për antikorrupsion. Sipas Programit të Zhvillimit të […]
Sipas Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, në vendet në zhvillim, fondet e humbura për korrupsion vlerësohen në 10 herë më shumë se sa ndihma zyrtare për zhvillim.
Korrupsioni është një krim i rëndë që mund të dëmtojë zhvillimin social dhe ekonomik në të gjitha shoqëritë, ndaj të cilit asnjë vend, rajon ose komunitet nuk është imun.
Edhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, për vitin e katërt me radhë, janë bërë bashkë në Javën kundër Korrupsionit, e cila do të nisë sot.
Gjatë kësaj jave do të trajtohen çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në qeverisje, prokurim publik, shëndetësi e arsim, teksa fokusi kryesor do të jenë sinjalizuesit, mbrojtja e tyre dhe ligji për sinjalizuesit, i cili është miratuar këtë vit.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin Aktiviteti për Drejtësi Komerciale të USAID, prezantojnë të gjeturat e studimit rreth Perceptimit të Korrupsionit sipas Bizneseve.
Edhe Organizatat e Koalicionit do të publikojnë Kalendarin e Aktiviteteve të Javës kundër korrupsionit. Ndërsa, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizon ekspozitën dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve për garën për fotografinë më të mirë kundër korrupsionit 2019.
Lëvizja FOL mban tryezë diskutimi me temë “Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – Sfidat e zbatimit në praktikë”, teksa UNDP dhe Agjencia zvicerane për zhvillim dhe kooperim SDC organizojnë ceremoni të ndarjes së çmimeve për gazetari me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.
Po me rastin e kësaj dite, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe “Betimi për Drejtësi” me rastin e shfaqjes së premierës së dokumentarit “Sinjalizuesit e korrupsionit”, kanë organizuar një program, ku do të flasë edhe zëvendës shefi i Ambasadës amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe.
Ndryshe, Java Kundër Korrupsionit, e cila mbështetet nga Ambasada amerikane në Prishtinë, do të zgjasë deri më datën 13 dhjetor.












