Rasti “Veteranët”, Lushtaku mohon se ka ekzistuar brigada “Hasan Prishtina

Rreth gjashtë orë dëshmi kanë dhënë të martën, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe Spiro Butka në rastin e njohur si “Veteranët”. Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë. Ata […]
Rreth gjashtë orë dëshmi kanë dhënë të martën, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe Spiro Butka në rastin e njohur si “Veteranët”.
Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.
Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të dy këta dëshmitarë kishin qenë të ftuar për të dëshmuar edhe në seancat e 4, 5, 6 dhe 23 dhjetorit, mirëpo ftesës nuk u ishin përgjigjur.
Dëshmitari Butka, nuk i ishte përgjigjur ftesave për seancat e fillim dhjetorit me arsyetimin se gjendja në Shqipëri kishte qenë e jashtëzakonshme për shkak të tërmetit që kishte ndodhur atje, kurse për seancën e 23 dhjetorit, Butka kishte kërkuar që të shtyhet për një ditë pasi kishte kërkuar siguri shkaku i disa kërcënimeve që tha se i ka pasur.
Kurse, Sami Lushtaku nuk u ishte përgjigjur ftesave të gjykatave dhe lidhur me to nuk kishte dhënë ndonjë arsyetim, çka e kishte shtyrë gjykatën që në seancën e 23 dhjetorit 2019, të nxjerr urdhëresë për sjellje me detyrim për të.
Ky i fundit, në seancën e së martës ishte ndër të parët që arriti në gjykatore.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit special, Enver Krasniqi, Lushtaku e mohoi se kishte ekzistuar një brigadë e quajtur “Hasan Prishtina”, në Drenicë.
Lushtaku tha se kanë qenë tri brigada në Zonën e Drenicës, 112, 113 dhe 114, si dhe një njësia speciale 111. Sa i përket numrit të ushtarëve në atë zonë, Lushtaku tha se ishte përpjekur që të mbaj shënime, mirëpo gjatë luftimeve tha se ishin zhdukur ato.
Lushtaku tha se gjatë kohës së luftës kishte qenë i angazhuar në Zonën Operative të Drenicës, fillimisht si zëvendëskomandant, e pastaj edhe si komandant i asaj zone, ndërsa sa i përket strukturës organizative, tha se UÇK nuk ka pasur në fillim edhe pse ishin munduar të organizojnë, mirëpo ofensivat e shumta u kishin shkaktuar çrregullime.
Tutje, në dëshminë e tij, Lushtaku tha se ka qenë pjesë e Komisionit Shtetëror për Verifikim të Veteranëve dhe kategorive tjera, i caktuar nga Qeveria, mirëpo tha se nuk i kujtohet koha kur kishte qenë. Më vonë, në këtë komision tha se ishte zëvendësuar nga ana e Nuredin Lushtakut.
Dëshmitari tha se i kujtohet përafërsisht baza ligjore mbi të cilën ka funksionuar Komisioni, ndërsa detyrë e Komisionit tha se ka qenë që secili komandant të flas me zinxhirin komandues, pasi asnjë komandant nuk i njeh të gjithë ushtarët që kanë qenë atë kohë.
Sa i përket asaj se a janë marr vendime në mbledhjet e Komisionit, Lushtaku tha se nuk e din që janë marr vendime, mirëpo vetëm se janë shqyrtuar çështje. Gjatë mbledhjeve të Komisionit, Lushtaku tha se është diskutuar edhe çështja e kategorizimeve të veteranëve sipas ligjeve që kanë qenë në fuqi.
Për shumë pyetje tjera të prokurorit Krasniqi, të tilla se cili ka qenë qëndrimi i Komisionit lidhur me përkufizimin e veteranit luftëtar, e cili është ky përkufizim sipas Ligjit për Veteranë, Lushtaku u përgjigj duke thënë se nuk i kujtohet.
Po ashtu, Lushtaku tha se nuk i kujtohet edhe se në cilën kategori ka hyrë edhe pjesa e logjistikës, ndërsa shtoi se ka pasur dallime mes anëtarëve gjatë procesit të verifikimit.
“E di që gjithë komandantët e zinxhirit komandues kanë qenë duke punuar për verifikimin e ushtarëve që nënkupton edhe verifikimin e aplikacioneve”, tha Lushtaku pasi prokurori Krasniqi e pyeti se mbi çfarë baze është bërë verifikimi i aplikuesve.
“A të kujtohet çfarë kritere formale është dash të përmbushen për veteranë”, ishte pyetja pasuese e prokurorit, me Lushtakun që u përgjigj duke thënë se është dashur të jetë pjesëtar i UCK-së dhe është dashur të jenë tre nënshkrime të komandantëve në aplikim.
Tutje, Lushtaku tha së për të gjitha zonat operative janë aplikuar kritere të njëjta, mirëpo siç tha, nuk beson se është respektuar baza ligjore lidhur me kategorizimin.
Lidhur me këtë, prokurori Krasniqi e pyeti se cili ligj nuk është respektuar, ndërsa Lushtaku e përmendi një shembull duke thënë se në Zonën e Drenicës, nuk janë bërë veteranë personat që kanë qenë roje kurse në zonat tjera një gjë e tillë kishte ndodhur.
Lushtaku u pyet edhe në lidhje me të akuzuarin Nuredin Lushtaku, për të cilin tha se ka qenë komandant i brigadës 113, ndërsa si zëvendësues i tij në Komision, dëshmitari tha se ishte caktuar Nuredin Lushtaku me një autorizim gojor.
Mirëpo, pasi u pyet nga Nuredin Lushtaku, dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse ata dy ishin konsultuar ndonjëherë lidhur me përfaqësimin e zonës së Drenicës në Komisionin Shtetëror.
Duke iu përgjigjur pyetjeve së të akuzuarit Shukri Buja, dëshmitari Lushtaku tha se nuk ka pasur ndonjëherë dallime në qëndrime me Bujën, ndërsa shtoi se si anëtar i Komisionit nuk ka mundur t’i verifikojë aplikacionet e zonave tjera, mirëpo tha se është bindje e tij personale se ka pas gabime gjatë verifikimeve.
Lushtaku tha se nuk e din as saktësisht e as përafërsisht sa veteranë janë në zonën e tij dhe shtoi se nuk ka njohuri se është bërë dikush që se meriton.
Lushtaku u pyet edhe nga kryetarja e trupit gjykues, lidhur me ligjet dhe rregulloret që rregullonin punën e Komisionit, si dhe me procedurën e ankesave, mirëpo shumica e përgjigjeve të tij ishin me “nuk e di”.
Pas Lushtakut, dëshminë e tij e dha edhe Spiro Butka i cili në gjykatë u soll me kërkesën e tij, nën përcjellje të dy hetuesve të Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës. Kjo, pasi sipas dëshmitarit, i njëjti ndihej i kërcënuar nga një person i quajtur Sokol Poga.
Butka, tha se sipas listave që Shoqata e Veteranëve të UÇK-së, me seli në Tiranë i ka, janë gjithsej 176 veteranë nga Shqipëria, mirëpo siç tha, se sipas informacioneve që ka, ky numër tash është mbi 3000 që tashmë kanë marr statusin e veteranit.
Butka tha se në strukturat ushtarake të UÇK-së është përfshirë nga 20 shtatori 1998, ndërsa më 9 prill 1999 tha se ishte bërë zëvendëskomandant i operacionit “Shigjeta”.
Pas luftës, Butka tha se ishte angazhuar në Qeverinë e Përkohshme, si pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, me ç’rast tha se kishte hartuar një listë të pjesëtarëve të UÇK-së nga Shqipëria.
Nga lista të cilën e posedon shoqata që ai udhëheq, Butka tha se 71 janë dëshmorë, 21 janë invalid, 7 janë të burgosur politik gjatë luftës dhe 87 janë veteranë ndërsa mbi 200 persona tha janë aktivistë që kanë ndihmuar luftën.
“Këtë informacion që sapo e dhatë për numrin, a ja keni ofruar ndonjëherë institucioneve të Kosovës”, e pyeti dëshmitarin, prokurori Valdet Gashi.
Dëshmitari tha se këtë listë e kishte sjellë edhe në Organizatën e Veteranëve të Luftës në Kosovë, sikurse edhe në Qeveri dhe në Komisionin Shtetëror të Verifikimit.
“Kjo listë i është dorëzuar edhe Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi”, tha Butka.
“Kush e ka bërë verifikimin e veteranëve luftëtar në Shqipëri ?”, ishte pyetja pasuese e prokurorit.
“Pas luftës, me Qeverinë e përkohshme, me Azem Sylën u ngrit një komision për verifikimin dhe regjistrimin e pjesëtarëve në luftën e Kosovës. Unë regjistrova të gjithë ata që kishin ardhur nga Shqipëria duke i marr nga të gjithë zonat operative”, u përgjigj Butka.
Prokurori Gashi e pyeti dëshmitarin se sa persona nga Shqipëria e gëzojnë tashmë statusin e veteranit, me dëshmitarin që tha se, një person me emrin Shqipe Krasniqi i kishte thënë se shifra ka shkuar më shumë se 3000.
“Shqipe Krasniqi më ka thënë se shifra ka shkuar më shumë se 3000 veta. Psh. Gjon Lleshi, nuk ka qenë asnjë sekondë në luftë. Nëse ky ka qenë një sekondë në luftë, unë sot e dorëzoj statusin tim. Sot ai është veteran. Flitet që 3800 janë krejt, por konkretisht nuk e di”, tha Butka.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të Agim Çekut, avokatit Ramë Gashi, dëshmitari tha se deri te ky numri i pjesëtarëve nga Shqipëria kishin ardhur edhe pas punës që kishin bërë në terren ku ishin takuar edhe me Kryetar të Bashkive të Kukësit, Tropojës, Krumës e vendeve tjera.
Dëshmitari e përmendi edhe një rast ku një anëtar i Këshillit të shoqatës së tij, Pëllumb Lleshi kishte ardhur për të marr aplikacione për veteran, mirëpo të njëjti, siç tha dëshmitari, aplikacionet i ishin marr nga Faik Fazliu.
“Kush ka qenë kryetar dhe anëtar të komisionit verifikues të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme”, e pyeti i akuzuari Demaliaj dëshmitarin, me këtë të fundit që tha se kryetar i atij komisioni kishte qenë Sejdi Veseli.
Butka e mohoi se Fatos Klosi është anëtar i shoqatës së tij, duke thënë se ai ishte veprimtar që kishte ndihmuar por nuk kishte luftuar.
“Në vitin 1992 isha oficer i Ushtrisë Popullore, jam takuar me Emin Kelmendin, i burgosur politik, ai më tha se a ke dëshirë që të lidhesh me UÇK dhe unë kam pranuar. Por, konkretisht nuk i kam besuar individit deri sa jam takuar me komandantin e UÇK-se, Azem Sylën dhe më pas jam angazhuar nga 20 shtator 1998. Në 1992 nuk ka pas UÇK por flitej për UÇK”, tha dëshmitari pasi u pyet nga i akuzuari Buja se kur ishte angazhuar në UCK.
I akuzuari Buja ia prezantoi trupit gjykues një dokument të nënshkruar nga Azem Syla ku tha se shihet se dëshmitari Butka është paguar nga 500 euro në muaj për angazhimin e tij në UÇK, mirëpo këtë, dëshmitari tha se ka qenë ndihmë që i ishte dhënë atij pasi kishte lënë dy fëmijë kur ishte nisur për në luftë.
Butka po ashtu tha se është sulmuar psiqikisht nga ana e të akuzuarit Smajl Elezaj, lidhur me udhëheqjen e shoqatës së veteranëve në Shqipëri, mirëpo e mohoi se këto probleme kishin qenë lidhur me çështjen e verifikimit.
Krejt në fund të dëshmisë së tij, Butka tha se krejt këtë punë nuk mund ta zgjidhin gjykata e prokuroria, por nëse komandantët do t’i marrin dhe do t’i rreshtojnë të gjitha brigadat dhe aty do shihet se kush është veteran i rrejshëm e kush jo, ndërsa shtoi se përgjegjësi për këtë kanë edhe Azem Syla, Hashim Thaqi dhe Bislim Zyrapi.
Pas përfundimit të dëshmisë së dy të dëshmitarëve, kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, tha se propozimet për dëshmitarë të rinj, të bëhen me shkrim në mënyrë që pastaj trupi gjykues të vendos nëse ato propozime aprovohen apo jo.
Seancat e radhës për këtë rast u caktuan të mbahen, më 16 dhe 17 janar 2020 nga ora 9:30, si dhe më 22 janar 2020 nga ora 13:00.
Ndryshe, në seancën e 4 dhjetorit 2019, trupi gjykues në këtë çështje, në përbërje nga gjykatësit, Nushe Kuka-Mekaj, kryetare dhe dy anëtarët, gjykatësi Kujtim Krasniqi dhe Agim Kuçi, kishin nxjerr aktvendim, me të cilin ishte ndaluar publikimin i dëshmisë së dëshmitarëve nga mediat, deri në përfundim të procesit së të provuarit.
Një vendim të tillë, ishte marr në mënyrë që të mos dëmtohet procesi gjyqësor në këtë rast, ashtu që, dëshmitarët të mos jenë në gjendje të lexojnë dëshminë e njëri-tjetrit dhe në këtë mënyrë edhe të koordinojnë dëshmitë.
Po ashtu, gjykata kishte vendosur që edhe dëshmitarët të mos u zbulohet identiteti nga mediat, por t’u referohen me iniciale edhe pse vet gjykatësja e kishte pranuar se të njëjtin nuk janë dëshmitarë të mbrojtur, por qëllimi sipas saj, është që të mos dëmtohet procesi gjyqësor në këtë rast.
Pas përfundimit të dëshmisë nga ana e Lushtakut dhe Butkës, gjykatësja Kuka-Mekaj, për “Betimi për Drejtësi” tha se kufizimi për mos publikim të dëshmisë së dëshmitarëve tashmë hequr dhe dëshmitë e dëshmitarëve mund të publikohen, pa paragjykuar nëse do ketë dëshmitarë tjerë që do të propozohen nga të akuzuarit.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.












