Nagavci: Prisnim marrëveshje më të shpejtë me LDK-në, për postin e Presidentit s’mund të japim zotim ‘të pastër’

Arbërie Nagavci, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, i ka thënë Radios Evropa e Lirës se pritjet në subjektin e saj politik kanë qenë që marrëveshja për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës do të arrihet shpejt, marrë parasysh që kjo e fundit kishte deklaruar se për një marrëveshje duhet vetëm të certifikimi i […]
Arbërie Nagavci, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, i ka thënë Radios Evropa e Lirës se pritjet në subjektin e saj politik kanë qenë që marrëveshja për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës do të arrihet shpejt, marrë parasysh që kjo e fundit kishte deklaruar se për një marrëveshje duhet vetëm të certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
“Kemi pritur që marrëveshja do të arrihet më shpejtë dhe jemi angazhuar për këtë. Por, LDK-ja, si duket ka pasur nevojë për më shumë kohë dhe ne besojmë dhe shpresojmë që kjo të mos zgjasë më shumë se data 26 dhjetor, kur edhe duhet të bëhet konstituimi i Kuvendit”, tha Nagavci.
Lidhja Demokratike e Kosovës, është duke insistuar që për postin e presidentit të vendosë ajo, por, pa dhënë ndonjë emër konkret. Ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje, fillimisht ka thënë se për presidentin duhet biseduar në kohën kur skadon mandati i tij, si dhe ka kërkuar që të dijë se kush do të jetë i propozuari nga LDK-ja për postin e presidentit.
Nagavci thekson që Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të japë zotimin për diçka, e cila nuk varet krejtësisht nga ajo.
“E tëra që ne mund të zotohemi do të ishte që do të kemi një angazhim të përbashkët për gjetjen e një kandidati, i cili është krejtësisht konsensual. Pra, do të jetë një angazhim i joni, që bashkë me partnerin qeverisës të arrijmë edhe në atë fazë. Por, nuk mund të japim sot një zotim ‘të pastër’ për një çështje, e cila, dorën në zemër edhe nuk varet krejtësisht vetëm prej nesh, sepse të gjithë e dimë se duhet të jemi 80 deputetë të pranishëm në Kuvend e që ne bashkë me LDK-në nuk i bëjmë 80 deputetë”, tha Nagavci.
Më 26 dhjetor pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, nuk kanë njoftuar zyrtarisht për ndonjë takim brenda këtyre dy ditëve. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sot në shënimin e përvjetorit të 30’të të themelimit të kësaj partie, kishte edhe disa mesazhe për Vetëvendosjen.
Për më tepër, mund të lexoni në këtë vegëz: Mustafa: VV t’i ndalë presionet ndaj LDK-së, jemi parti pothuajse të barabarta












