Mashtrimi i parë i madh i Qeverisë Kurti: Çka ndodhi mbrëmë në të vërtetë?

Gjatë ditës së sotme do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që Vetëvendosje me LDK-në nuk kanë arritur të bëjnë marrëveshje për të formuar qeverinë e re. Mbrëmë patëm një shpërthim dramatik të liderit të Vetëvendosjes, por edhe të anëtarëve e simpatizantëve të kësaj partie. Gjatë ditës së djeshme Lëvizja Vetëvendosje mblodhi […]
Gjatë ditës së djeshme Lëvizja Vetëvendosje mblodhi grupin e saj të ri parlamentar, me deputetët e rinj të zgjedhur. Pas këtij tubimi, ku nuk dihet se çka është folur, kryetari i Vetëvendosjes vetëvendosi të prodhonte dramë e piskamë në opinionin publik, edhe një herë.
Mashtrimi i parë i madh i Qeverisë Kurti
Grupi KOHA alarmoi opinionin publik se ai pritej të shpallte dështimin e formimit të qeverisë së re, e që praktikisht nënkupton lëshimin e rrugës për zgjedhjet e reja.
“Kurti pritet ta konfirmojë dështimin e marrëveshjes,” – thoshte titulli i lajmit të parë. Më pas, ata zyrtarizuan mos-arritjen e marrëveshjes me një titull edhe më bombastik: “Zyrtare: S’ka marrëveshje VV-LDK”.


Por, e vërteta ishte se asgjë e tillë nuk ndodhi. Grupi KOHA thjesht iu nënshtrua Lëvizjes Vetëvendosje për t’i rritur pazarin për pushtet partisë së Kurtit. Pse? Sepse Kurti në fakt deklaroi se përpjekjet për arritjen e marrëveshjes do të vazhdonin. Pra, tërmeti i djeshëm rezultoi i rremë.
Hilet
Albin Kurti në video-mesazhin e publikuar në Facebook paraqiti disa pika të ofertës që i kishte bërë LDK-së së Isa Mustafës. Oferta kishte tri pika por të cilat nisnin me fjali tepër joserioze, duke qenë thjesht shprehje disponimi e jo përcaktim qëndrimi, shkruan Periskopi.
Ja se si fillon Pika 2: Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë.” Pastaj, Pika 1 nis me citimin e Kushtetutës ndërsa Pika 3 me një kërkesë të përmbushur të LDK-së për ndarjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Megjithatë, e përmbledhur dilte se oferta e Lëvizjes Vetëvendosje ishte e drejtë. Vetëvendosje praktikisht i jepte LDK-së pozitën e presidentit në këmbim të ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila pritet t’i takojë z.Xhelal Sveçla, i cili bëri bujë së fundi pas takimit për kafe pas një konference me z.Marko Gjuriq nga Qeveria e Serbisë.
Por, ajo që bëri përshtypje të madhe ishte përmendja e vazhdueshme e Kurtit të “ndarjes së përgjegjësive”. Kjo ishte një fyerje e inteligjencës së qytetarëve, duke qenë se siç dihet gjerësisht, këto dy parti po luftojnë në fakt për më shumë pushtet, e më shumë privilegje në qeverinë e re. Të paktën, Kurti nuk mund të na mashtrojë sa i përket LDK-së. LDK-ja nuk e ka gajle edhe nëse mbetet pa pikë përgjegjësie, sepse i dalin boll e i teprojnë privilegjet.
Goxha kohë mbetet
Në fakt, Vetëvendosje dhe LDK sipas Kushtetutës kanë ende kohë për të formuar qeverinë. Goxha kohë. Shpërthimi i djeshëm i Kurtit ishte thjesht për t’u përpjekur që t’i shtojë një hise tjetër pushteti partisë së tij.
Pra, VV dhe LDK janë tepër afër arritjes së marrëveshjes dhe mos-dakordimi aktual nuk ka të bëj as me presidentin e as me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Çka mësuam?
Që nuk duhet t’i besojmë çdo gjëje që shohim në internet. As në televizor. Që nuk duhet t’i besojmë asnjë zyrtari të partive përveç kryetarëve të partive kur bëhet fjalë për marrëveshjet për qeverinë. As Glauk Konjufcës që parmbrëmë shprehej krejt ndryshe për të. As Albulena Haxhiut që për çdo ditë thoshte se presidenti nuk do t’i takonte LDK-së, e u demantua nga kreu i partisë.
Dita e sotme mund të jetë më e keqe se dje, dhe shumë më e keqe se pardje, por dita e sotme të paktën është më e mirë se që do të jetë nesër dhe shumë më e mirë se që do të jetë pasnesër. Kështu pak-a-shumë thoshte një herë e një kohë Enver Hoxha, i cituar nga z.Xheremi Korbin.












