Latifi i PDK-së kundërshton Politikanin si Personalitet të Vitit: Nuk e meritojnë

Filozofit të PDK-së duket se nuk i ka pëlqyer lajmi i djeshëm nga Periskopi që shpalli “Personalitet të Vitit 2019”, profesorin e nderuar dhe kryetarin e LDK-së, z.Isa Mustafa. Duke përmendur një mori arsyesh, Periskopi vendosi që të shpallte liderin e LDK-së si Personin e Vitit 2019, ani që kjo u kundërshtua nga një numër […]
Duke përmendur një mori arsyesh, Periskopi vendosi që të shpallte liderin e LDK-së si Personin e Vitit 2019, ani që kjo u kundërshtua nga një numër i madh lexuesish, shumica mbështetës të partive tjera.
Në fakt, zgjedhja e z.Mustafa nuk kishte të bënte me partinë të cilit ai i takonte, por me daljen nga një gjendje e pashpresë në të cilën ishte vendosur, si krejt i margjinalizuar dhe i shpërfillur. Në rrethanat aktuale, në mbarim të vitit, ai e gjen veten në rolin e politikanit më të fuqishëm në Kosovë.
Z.Kurti e ka përcaktuar Mustafën dhe LDK-në e tij si partinë e vetme me të cilën do të bashkëpunonte, dhe kjo e bën atë “mbret-bërës” [ang. Kingmaker] në politikën tonë, përcjell Periskopi.
Megjithatë, profesori i filozofisë që dështoi të bëhej deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, deklaron se “Askush nga politika [nuk e meriton epitetin e personalitetit të vitit].
“Për një arsye shumë të qartë: politikisht viti 2019 ishte një vit i humbur! Pjesën e parë të tij e çuam kot duke mos lënë gjë pa i thënë njëri tjetrit për korrigjimin e kufijve dhe taksën. Zbuluam tradhtarë e patriotë me bollëk, por nuk arritëm t’u japim një arsye të vetme qytetarëve për ta ruajtur besimin tek e nesërmja.” – ka shkruar z.Latifi.
Në fakt, ndoshta Latifi ka qenë i zënë duke shikuar vetëm rezultatet zgjedhore të deputetëve pasi që në zgjedhjet e 6 tetorit pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e lartë se asnjëherë më parë – gjë që reflekton megjithatë shpresën qytetare për ndryshime.
Periskopi po ashtu ka shpallur edhe “Humbësin e Vitit” dje, z.Ramush Haradinaj. Një epitet të tillë i dha gjatë ditës së sotme edhe Grupi Koha.
Më poshtë e keni statusin e plotë z.Latifi:
Kush e meriton të marrë epitetin personaliteti i vitit? Sigurisht askush nga politika! Për një arsye shumë të qartë: politikisht viti 2019 ishte një vit i humbur! Pjesën e parë të tij e çuam kot duke mos lënë gjë pa i thënë njëri tjetrit për korigjimin e kufijve dhe taksën. Zbuluam tradhtarë e patriotë me bollëk, por nuk arritëm t’u japim një arsye të vetme qytetarëve për ta ruajtur besimin tek e nesermja.
Në fillim të pjesës së dytë të vitit mbetem pa qeveri, shkuam në zgjedhje dhe tani kur po hyjmë në vitin e ri ende nuk kemi qeveri të re. Ata që fituan zgjedhjet në emër të ndryshimit dhe qeverisjes ndryshe, tani po na tregojnë se janë thjesht vëllezër binjakë me qeveritarët e djeshëm. Prandaj askush prej tyre se meriton të quhet personalitet i vitit. Kraja e pat shkruar një libër për vitet ’90 të shekullit të kaluar, me titull “Vitet e humbura”. Mbase duhet shkruar një libër i ri, me të njëjtin titull, për vitet e fundit!












