KUJDES! Si iu manipuluan mediat në lidhje me Vjosa Osmanin dhe Agim Veliun?

Kaluan 2 muaj e dhjetë ditë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, u mbajtën 11 takime, por Vetëvendosje dhe LDK nuk ia dolën të bënin marrëveshjen për koalicionin qeveritar. Meqë u parashikua se rezultati i zgjedhjeve do të ishte shumë i ngushtë, Vetëvendosje dhe LDK e kishin bërë një “marrëveshje gjentëllmenësh” që thoshte se partia […]
Meqë u parashikua se rezultati i zgjedhjeve do të ishte shumë i ngushtë, Vetëvendosje dhe LDK e kishin bërë një “marrëveshje gjentëllmenësh” që thoshte se partia që dilte e para do të merrte pozitën e kryeministrit të vendit.
Albin Kurti i mori 183 mijë vota ndërsa Vjosa Osmani 176 mijë. VV doli e para me 1,5 për qind më shumë se LDK-ja. Kryeministri dihej. E megjithatë, shumëçka u komplikua rrugës.

Tashmë dihet natyra e përplasjeve të këtyre partive, madje e shprehur hapur nga z.Kurti dhe z.Konjufca që duket se e kanë problem t’i mbajnë për vete fjalët që thuhen brenda takimeve të mbyllura, shkruan Periskopi.
Përplasja e parë kishte të bënte me ministritë.
“Po zgjedhi unë i pari,” – kishte thënë Mustafa. “Jo, po zgjedhi unë i pari,” – kishte thënë Kurti. “Jo, po zgjedhi unë i pari,” – kishte përsëritur Mustafa. “Jo, po zgjedhi unë i pari,” – kishte përsëritur Kurti. E kështu deri në pafundësi. Mos të harrojmë që këto ishin fjalët e vetë Kurtit në një intervistë për gazetaren Jeta Xharra.
Përplasja e dytë dhe më vendimtarja kishte të bënte me pozitën e presidentit të vendit. LDK-ja e kërkon postin e presidentit për vete, edhe pse Isa Mustafa e Vjosa Osmani i kishin thënë Kurtit se nuk donin të bëheshin presidentë. Ndërkohë që VV-ja nuk dihet se çka kërkon në të vërtetë. Thotë se do president konsensual, por nuk thotë se do të ndryshojë ligjin për zgjedhjet që do t’i mundësonte presidentit të zgjedhej direkt nga populli. Dhe, meqë ministritë u zgjodhën me kriterin banal, një herë ti, një herë unë [sic], problemi i presidentit është ai që po lë Kosovën pa qeverinë e re.
Dhe pikërisht në këtë pikë nxjerr krye propaganda mediale. Javën e kaluar u raportua se Agim Veliu ishte përplasur me Vjosa Osmanin. Ishte Osmani e cila u pa në hollin e Kuvendit të Kosovës duke u regjistruar si deputete bashkë me Albin Kurtin. Kjo nuk i pëlqeu Agim Veliut, dhe mediat raportuan për një gjë të tillë. Osmanit nuk i pëlqeu mos-pëlqimi i Veliut.
Këto të gjitha janë të vërteta. Por, në shumë prej mediave u hodh përvjedhurazi një nënkuptim mashtrues që pak-a-shumë thoshte se Osmani e dëshironte koalicionin me VV-në, ndërkohë që Veliu e Haziri ishin kundërshtarë të tij. Dhe, po pak-a-shumë, se grupi i të tillëve po e mbante pezull marrëveshjen mes partive.

E vërteta është krejtësisht e ndryshme, madje edhe sipas vetë fjalëve të Vetëvendosjes. Vjosa Osmani kishte qenë politikanja më e rreptë kundër Vetëvendosjes gjatë fushatës dhe pas fushatës, duke i akuzuar hapur për linçim e sulme të ulëta. Ndërkohë që Vetëvendosje po ashtu nuk kishte kursyer sulmet e ashpra, madje edhe seksiste, në drejtim të figurës së saj duke e nënkuptuar si “kukull” dhe njeri që nuk vendoste për asgjë.
Vetë kryetari i kësaj partie kishte deklaruar se do t’i ofronte asaj pozitën e kryetares së Kuvendit, pas së cilës Osmani kishte reaguar me ashpërsi.
“Pasi e zgjodhën Vjosën si kandidate për kryeministre, Lutfi Haziri ishte më i buzëqeshuri,” – deklaronte Albin Kurti duke dashur ta nënçmonte më tej kandidaten e LDK-së për kryeministre.
E çka deklaronin për Lutfi Hazirin?
I pyetur nga gazetarët për rolin e Lutfi Hazirit në grupin punues të LDK-së, nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjufca u shpreh se “ai kishte pasur rol shumë konstruktiv, dhe se ishte shumë bashkëpunues me ta.”
Së fundi, në një intervistë të shkurtër për Periskopin, Haziri u shpreh se koalicioni me VV-në do të ndodhte.

S’ka dyshim që përplasja aktuale mes LDK-së dhe VV-së nuk pengohet nga asnjë fraksion brenda partisë më të vjetër parlamentare në Kosovë. E vetmja pengesë është “pazari i pozitave” ashtu siç ishte me të gjitha koalicionet e tjera mes partive tona politike që nga paslufta.
Së fundi, deputeti i ri i Vetëvendosjes, Haki Abazi sulmoi grupin KOHA se po i shtrembëronte statuset që ai i postonte në profilin e tij. Periskopi fton lexuesit e saj që të kenë kujdes me qasjen e raportimit të lajmeve. Lajmet e rreme nuk përmbajnë thjesht fakte të sajuara e gënjeshtra, por edhe shtrembërime të konteksteve të caktuara – e të cilat mund të jenë tendencioze dhe të ndikojnë keq në ambientin tonë politik e social. /Periskopi












