Konjufca e Haxhiu në kundërshtim të hapur me njëri-tjetrin: Çka tregon kjo gjë?

Gjatë ditës së djeshme patëm një intervistë të ‘nxehtë’ të deputetit të dytë më të votuar të Vetëvendosjes, z.Glauk Konjufca në RTV Dukagjini. Në anën tjetër, Albulena Haxhiu, deputetja grua më e votuar foli për televizionin shqiptar ABC News. Qëndrimet e dy figurave më të rëndësishme në VV pas Kurtit ishin në shpërputhje të plotë. […]
Albulena Haxhiu ishte e prerë në qëndrimin e saj. “Nëse LDK-ja insiston në pozitën e presidentit, alternativë mbeten zgjedhjet,” – deklaroi ajo hapur, ashtu siç kishte deklaruar edhe ditë më parë në mënyrë të përsëritur.
Por, i të njëjtit mendim nuk ishte edhe Glauk Konjufca.
I quajturi “Adem Grabovc i dytë” nga analisti Astrit Gashi për shkak të mbrojtjes së Xhelal Sveçlës për kafimin me Marko Gjuriqin tha se Vetëvendosje e kishte në fakt edhe planin B për të arritur marrëveshje me LDK-në.
Konjufca vazhdoi të thoshte se si plani A ishte më ideali dhe se do t’i jepte Kosovës një president të popullit duke e bërë një ndër shtetet më demokratike në Evropë. Por, ai deklaroi se ekzistonte edhe plani B, e në të cilin Kosova “do të vazhdonte traditën e procedurës së zgjedhjes së presidentit që prej vitit 2001”, përcjell Periskopi.
Sidoqoftë, Konjufca nuk përmendi zgjedhjet e reja duke lënë krejtësisht të hapur mundësinë që Kurti të pranonte kushtëzimin e LDK-së për presidentin.
“Marrëveshja do të arrihet në ditën e konstituimit të Kuvendit. Bile, ndoshta edhe më herët,” – deklaroi ai, duke pasur ndërmend pikërisht ditën e sotme.
Por, pse ka një shpërputhje aq të madhe mes dy figurave më të votuara të Vetëvendosjes pas z.Kurti?

Në fakt, del se dyshja e famshme e VV-së, ose të paktën njëri prej tyre, nuk ka të dhëna të sakta në lidhje me rrjedhën e bisedimeve Kurti-Mustafa. E po ashtu, edhe mungesën e transparencës nga liderit të tyre në organet e partisë.
Kujtojmë se deklarata të pasakta në lidhje me bisedimet kishin pasur edhe zyrtarë të LDK-së, po ashtu të painformuar nga lideri i tyre, Isa Mustafa. /Periskopi












