Këto ishin lajmet më të rëndësishme të vitit 2019

Viti 2019 ishte një ndër vitet më dramatike për vendin tonë. Periskopi iu sjell të përmbledhura disa prej lajmeve më të rëndësishme që do të kenë ndikim afat-gjatë dhe do të mbahen mend, të paktën edhe në vitin tjetër. Viti 2019 nisi me Ramush Haradinajn kryeministër dhe tarifën 100 për qind në fuqi ndaj mallrave […]
Viti 2019 nisi me Ramush Haradinajn kryeministër dhe tarifën 100 për qind në fuqi ndaj mallrave të importuara nga Serbia. Kjo shkaktoi paralizimin e plotë të dialogut, me presidentin serb Vuçiq që tha se nuk do të dialogonte shkaku i këtij veprimi.
Sidoqoftë, në përgjithësi gjatë pjesës së parë të vitit nuk patëm lajme aq domethënëse, duke përjashtuar ato nga sporti ku Kombëtarja e Kosovës po rritej gjithnjë e më shumë.
14 janar – Rrahman Jasharaj kërkonte rritje të koeficientëve për punëtorët e arsimit në Ligjin për Pagat, dhe shkoi deri aty sa e futi vendin në krizë me këta punëtorë që u futën në grevë për tri javë. Jasharaj fitoi betejën me Haradinajn, dhe madje as nuk pranoi që të kompensoheshin orët e humbura gjatë kohës së grevës.
21 mars – Kombëtarja e Kosovës në futboll arriti të barazonte 2 me 2 në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri”. Madje, ‘dardanët’ patën epërsinë e një goli deri në minutën e 91 dhe kishin mundësi ta fitonin krejtësisht ndeshjen miqësore.

25 mars – Kosova i nis Kualifikimet për Euro 2020 në ndeshjen kundër Bullgarisë. Për fat të keq, nuk arrin të fitojë pavarësisht lojës së mirë. Të vetmin gol për ekipin tonë e realizoi Arbër Zeneli.
29 prill – Në Berlin u mbajt një samit i thirrur nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Pjesëmarrës nga Kosova ishin presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

17 qershor – Zgjedhjet e brendshme të LDK-së nuk shkuan ashtu siç ishte pritur. Nëpër degë e nëndegë të kësaj partie shpërtheu dhuna mes aktivistëve e zyrtarëve të saj që luftonin për t’u bërë pjesë e strukturave të partisë. Rast absolutisht i tmerrshëm ndodhi edhe në Degën e Tretë në Prishtinë, dega e ish presidentit Rugova, në të cilin për dhunën u fajësua z.Arban Abrashi.

19 korrik – Një ditë pas ftesës së marrë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës [Gjykata Speciale] në Hagë, z.Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Ai deklaroi se nuk donte ‘ta njolloste Kosovën me një gjë të tillë, dhe se nuk ishte mirë që një kryeministër të shkonte në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte’. Sidoqoftë, kjo nuk e pengoi atë që të garonte sërish për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit.
3 gusht – Pas një procesi të dhimbshëm zgjedhor, Isa Mustafa u rizgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo u bë edhe pse ai i kishte humbur katër palë zgjedhje gjatë nëntë vitesh si kryetar partie.
26 gusht – Vjosa Osmani kandidohet për kryeministre nga LDK-ja. Duke e parë një tjetër humbje me sy, z.Isa Mustafa e kishte kandiduar znj.Vjosa Osmani për pozitën e kryeministres në zgjedhjet e shpallura të 6 tetorit. Osmani shihej si më popullore dhe më e fuqishme se Mustafa, por megjithatë doli vetëm e dyta në zgjedhjet që do të vinin.

17 shtator – PDK vendosi të shkonte e vetme në zgjedhjet e 6 tetorit, pa AAK-në, Nisman dhe AKR-në, duke e bërë më të mundshme fitoren e Vetëvendosjes dhe të LDK-së.
6 tetor – U mbajtën zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në Kosovë, e në të cilat nuk pati incidente apo parregullësi të mëdha.

6 tetor – Lëvizja Vetëvendosje doli e para në këto zgjedhje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Albin Kurti shpalli fitoren pak para mesnatës, ndërkohë që Kadri Veseli i PDK-së pranoi humbjen.

14 tetor – Duke pasur gjasat më të mëdha për kryeministër, Albin Kurti ndërroi qëndrimin e tij për Kombëtaren e Kosovës në futboll. Më herët ai kishte simpatizuar Shqipërinë, duke bërë thirrje për një kombëtare dhe një ligë të përbashkët kombëtare, por në ndeshjen kundër Malit të Zi shkoi në “Fadil Vokrri” për të përcjellur për herë të parë kombëtaren e tij, Kosovën.

7 nëntor – Kadri Veseli merr ftesë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
26 nëntor – Ndodh një tërmet shkatërrimtar me magnitudë 6,4 shkallësh në Shqipëri i pasuar nga pas-tërmete të tjera të forta, e të cilat bënë shkatërrime të mëdha dhe i vranë mbi 50 njerëz.

7 dhjetor – Xhelal Sveçla u pa duke pirë kafe në një restorant në Tiranë me politikanin famëkeq të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriqin. Ky i fundit është edhe shef i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën dhe Metohinë”. Vetëvendosje vazhdon ta mbajë në faqen e saj në internet komunikatën ku shpreh qëndrimin për të mos u takuar me politikanët serbë pa kërkuar falje./Periskopi













