Këshilli i prindërve: Greva pas rezultatit të PISA-s, shqetësim dhe dëshpërim për nxënësit

Këshilli i Prindërve në Komunë e Prishtinës ka reaguar në lidhje me grevën e mësimdhënësve, duke thënë se pas rezultatit të PISA-s, kjo grevë sjellë vetëm dëshpërim e jetë më të vështirë për nxënësit, prindërit dhe vet mësimdhënësit, shkruan Periskopi. Përmes një reagimi, Këshilli shprehu shqetësimin për këtë grevë duke thënë se “në këtë kohë […]
Përmes një reagimi, Këshilli shprehu shqetësimin për këtë grevë duke thënë se “në këtë kohë dhe rrethana, jemi të bindur se greva nuk i drejtohet askujt, e as nuk zgjidhë gjë”.
Më poshtë keni reagimin e plotë:
Greva pas PISA-s (!!!)
Këshilli i Prindërve i Prishtinës (KPP) vlerëson se, përkundër që ka pakënaqësi të arsyeshme, individuale dhe sindikale, ndaj pezullimit të Ligjit për Paga; nën kushtet aktuale, të mungesës së institucioneve legjitime qeverisëse në vend (në pritje të konstituimit nga zgjedhjet e fundit), por edhe arsyeve që greva dëmton më së shumti (dhe padrejtësisht) nxënësit, e edhe prindërit, por njëkohësisht vendos nën presion të panevojshëm mësimdhënësit dhe drejtuesit e shkollave, ajo gjithashtu e rëndon edhe raportin prindër-mësimdhënës dhe gjithë procesin edukativo-arsimor.
Përveç këtyre arsyeve, e gjithë shoqëria është ende e tronditur nga rezultati i testit PISA, dhe greva aktuale është kripë në plagën e hapur.
Si KPP duam të çmojmë ndjeshmërinë e mësimdhënësve dhe drejtuesve të shkollave që angazhohen dhe shqetësohen me këtë gjendje jonormale, dhe si Këshill i Prindërve ua shprehim mbështetjen.
Andaj, në këtë kohë dhe rrethana, jemi të bindur se greva nuk i drejtohet askujt, e as nuk zgjidhë gjë. Ajo vetëm sjell dëshpërim e jetë më të vështirë për parashkollorët, nxënësit, prindërit e mësimdhënësit. Dëshminë që dimë të bëjmë greva e kemi dhënë, tash na duhet mësim e dije!












