Ibrahimi: Me një qasje të tillë duket se Kurti ka frikë nga qeverisja dhe sfidat

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka kritikuar qasjen e LVV-së dhe LDK-së në përpjekjet e tyre për marrëveshje. Përmes një postimi në Facebook, Ibrahimi ka shkruar se të dy partitë janë nisur nga qasja e arrogancës dhe lakmisë për pushtet. “Nëse do të kërkonim t’i përkufizojmë se çfarë i ka karakterizuar negociatat ndërmjet LVV dhe LDK […]
Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka kritikuar qasjen e LVV-së dhe LDK-së në përpjekjet e tyre për marrëveshje.
Përmes një postimi në Facebook, Ibrahimi ka shkruar se të dy partitë janë nisur nga qasja e arrogancës dhe lakmisë për pushtet.
“Nëse do të kërkonim t’i përkufizojmë se çfarë i ka karakterizuar negociatat ndërmjet LVV dhe LDK për formimin e qeverisë do të mund ta përmblidhnim me dy fjalë- arroganca dhe lakmia. LVV që në mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve ka pasur një qasje arrogante, sikur të kishte fituar 51% të votave ndërkohë që LDK, e vetëdijshme për pozicionin e mirë negociator, është munduar që të zhvasë sikur të ishte fituese e zgjedhjeve”, shkruan ai në Facebook.
Me këtë qasje, thotë Ibrahimi, të të dyja subjekteve politike s’do mend se nuk do të mund të arrihej ndonjë marrëveshje, e lërë më ndonjë qeverisje ashtu siç e kishte kërkuar votuesi me 6 tetor.
“Se me një qasje të tillë nuk mund të arrihet një marrëveshje e kanë ditur edhe Kurti e Mustafa. E kjo na qon në përfundimin logjik se asnjëri nuk kanë dashur të bëjnë marrëveshje dhe të qeverisin bashkë. Kurti nga frika e qeverisjes dhe e sfidave që ka përpara e Mustafa nga frika se në një qeverisje të udhëhequr nga Kurti, LDK e tij me shumë plasaritje të brendshme do të venitej edhe më tej. LVV është fituese e zgjedhjeve dhe ka mandatin për formimin e institucioneve. Dështimi për të bërë një gjë të tillë e bën atë fajtoren kryesore dhe kjo duhet të thuhet qartë dhe pa ekuiovoke. LVV nuk mund të fshihet pas asaj se ne deshëm por nuk gjetëm partner. Kompromisi dhe gjetja e partnerëve është pjesë e lojës në të cilën tani rolin udhëheqës e ka LVV dhe ajo duhet të mësojë të luajë në këtë valle”, thotë Ibrahimi.
LDK, thotë tutje ai, nëse nuk e ndien veten rehat në një qeverisje me LVV duhet ta thotë haptas dhe të hapet rrugë për kombinime të tjera.
“Po shihet dhe dëshmohet edhe një herë se vënia e vijave të kuqe në politikë ( sidomos në politikën kosovare) është më tepër një dëshirë se sa qëndrim pragmatik politik. Qofsha I gabuar do të thoshte dikush”, përfundon Ibrahimi.












